‘Zyla’, një rrëfim mbi fatin e gruas shqiptare
‘Zyla’ është titulli i romanit të parë të krijuesit Muharrem Elezi nga Gjilani, ku ai gërsheton periudha e karaktere nga jeta reale.
Romani ‘Zyla’ është një rrëfim i fuqishëm dramatik që shtrihet në dimensione të gjera kohore, thotë Zyrafete Shala, kritike letrare.
Brenda këtij romani ndërthuren periudha të ndryshme historike e karaktere të shumta njerëzore, për të krijuar tablonë e gjerë të origjinalitetit të jetës.
Situatat politike dhe marrëdhëniet shoqërore, që e përbëjnë sfondin e konfliktit, gërshetohen natyrshëm me marrëdhëniet komplekse njerëzore, të cilat shpeshherë determinojnë kahet e jetës individuale të protagonistëve.
Përjetimet tronditëse të luftës së fundit në Kosovë dhe efektet që ato vazhdojnë të kenë në jetët e njerëzve, bëhen material krijues për autorin Muharrem Elezi dhe përvijojnë konturat e romanit.
Ndërsa, në esencën e konfliktit qëndron fati i gruas shqiptare dhe vendosmëria e saj për t`u përballur dhe për ta ndryshuar rrjedhën tij, nënvizon Shala.
Ndërkaq, Agron Elezi, kompozitor, nënvizon se autori Muharrem Elezi, përmes këtij romani paraqet artin e tij shkrimor nga një frymëzim krejtësisht origjinal.
Krahas protagonistes kryesore, autori krijon karaktere realiste që sfidojnë fuqishëm rrugëtimin dhe luftën e Zylës për mbijetesë dhe liri.
Ajo ballafaqohet me dy botë antagonist: botën e vjetër dhe të errët të familjes së burrit, duke përfshirë më vonë edhe vetë burrin e saj, si dhe botën e tmerrshme të luftës dhe përdhunimit.
Në fund, ajo mbijeton dhe ngadhënjen dhe kjo sakrificë dhe rezistencë triumfuese e Zylës, shpërblehet dhe kurorëzohet me ringjalljen dhe gjetjen e dashurisë së saj të vërtetë, thotë Agron Elezi, në refleksionin e tij për romanin.
Përndryshe, Muharrem Elezi, profesor i gjuhës shqipe, tani në pension, ka botuar edhe një përmbledhje me tregim ‘Ajo’ në vitin 2000.



 
 
						 
						