Zyrtare: Lehtësohen masat antiCOVID-19

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave antiCOVID-19.

Masat janë lehtësuar për disa sektorë, duke vënë në theks edhe zgjatjen e orarit të qarkullimit në bazë të masave nëpër komuna me rrezik të ulët, të mesëm e të lartë.

“Duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Te komunat me rrezik të ulët dhe të mesëm, operatorëve ekonomikë u lejohet puna deri në orën 22:00, ndërsa pas saj me shërbimin “merre me vete”. Nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.

Për komunat me rrezik të lartë, vazhdon kufizimi i lëvizjes, ku pas orës 21:30 ndalohet lëvizja e qytetarëve përveç në raste emergjente, kurse operatorët ekonomik, sektori i gastromonisë dhe qendrat tregtare, lejohen të punojnë deri në ora 21:00.