Zyrtari i Gjendjes Civile dënohet me gjobë prej 2 mijë e 600 euro

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimi dënues, ndaj të akuzuarit Mehmet Leka, zyrtar administrativ në Zyrën e Gjendjes Civile në Molliq të Gjakovës, duke e dënuar me 2 mijë e 600 euro gjobë, për akuzën se regjistroi në mënyrë të kundërligjshme, personin Sokol Tolaj si banor të Republikës së Kosovës, duke i mundësuar që të pajiset me dokument zyrtar të Gjendjes Civile.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Leka, është shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Tutje sipas aktakuzës, pas kërkesës nga Ambasada Britanike në Tiranë drejtuar Komunës së Gjakovës për verifikimin e të dhënave për Sokolin, ka rezultuar se personi i tillë nuk është banor, konkretisht nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, e as prindërit e tij A.T dhe N.T nuk kanë qenë të regjistruar.

Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi