Zyrtari policor privoi nga jeta në Ferizaj burrin e tezes së tij
Ferizaj u trondit pasditen e djeshme, ku një dasmë u kthye në tragjedi. Në oborrin e një restoranti që po mbahej dasma, në fshatin Bibaj, një person u vra nga një tjetër.
Festim Ramadani, zyrtar policor, shtiu me armë drejt një të moshuari, duke e vrarë në vend, teksa ai ishte jashtë detyrës zyrtare, për t’u dorëzuar më pas në Polici.
Viktima ishte Sadri Sadriu, 89-vjeçar, i cili u qëllua me armë zjarri jashtë oborrit të një restoranti.
Sinjali mësoi se zyrtari policor dyshohet se privoi nga jeta burrin e tezes së tij, për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve të para, viktima kishte ardhur për ta martuar nipin dhe u vra nga polici, i cili paguhet ta mbrojë jetën e qytetarëve.
Lidhur mbi incidentin tragjik në Ferizaj, reaguan edhe Prokuroria e IPK.
Në njoftimin e Prokurorisë u tha se rasti ndodhi rreth orës 19:30 në parkingun e sallës së dasmave “Fron Palace” – në fshatin Bibaj.
Tutje në njoftim u tha se i dyshuari në këtë rast sipas informatave të para dyshohet se është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh.
Ndërsa në reagimin e IPK-së, u tha se bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë.
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë”, u tha në njoftim.
Tutje, në një prononcim në orët e vona të mbrëmjes, majori Qazim Reka në një deklaratë për media tregoi detaje të reja lidhur me rastin, duke shtuar se polici nuk ishte në detyrë në kohën kur kreu vrasjen.
Ai po ashtu njoftoi se polici nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar dhe shtoi se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është Festim Ramadani dhe viktima është Sadri Sadriu. Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka./Sinjali
……………………………………………
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

