12 viktima dhe 51 të plagosur, pamjet me dron zbulojnë përmasat e tragjedisë në Bullgari (VIDEO)

Një aksident masiv rrugor ka tronditur Bullgarinë, ku 86 automjete, mes tyre makina dhe kamionë, janë përfshirë në përplasje të njëpasnjëshme në autostradën e Trakisë. Si pasojë, të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 51 të tjerë kanë mbetur të plagosur, 13 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Pamjet e filmuara nga një dron tregojnë përmasat e shkatërrimit, me dhjetëra automjete të shkatërruara dhe të grumbulluara në disa pjesë të autostradës. Disa prej tyre janë dëmtuar aq rëndë, saqë janë kthyer në masa metali të deformuara.

Sipas mediave bullgare, aksidenti ndodhi të martën në rajonin e Jambolit, mes kryqëzimeve të Zimnicës dhe Kabiles, për shkak të mjegullës së dendur që uli ndjeshëm dukshmërinë. Në përplasjet zinxhir u përfshinë 63 automjete në drejtimin Burgas-Sofje dhe 23 në drejtimin tjetër.

Sipas vlerësimeve paraprake të autoriteteve, dukshmëria ra nga 70-80 metra në vetëm 10 metra, duke bërë që shumë drejtues automjetesh të mos arrinin të reagonin në kohë dhe të përplaseshin me njëri-tjetrin.

Të plagosurit u transportuan në spitalet e Slivenit, Jambolit dhe Burgasit. Vetëm në spitalin e Slivenit u dërguan 23 persona, 19 prej të cilëve kërkuan shtrim në spital. Disa nga të plagosurit iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale. Bilanci i viktimave u rrit nga 11 në 12, pasi një prej të plagosurve ndërroi jetë në spitalin e Jambolit.

Ekspertja e sigurisë rrugore Diana Rusinova, e cila mbërriti në vendngjarje, e cilësoi aksidentin si një nga më të rëndët që kishte parë ndonjëherë. Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për drejtuesit e mjeteve, duke theksuar se sinjalistika elektronike dhe teknologjitë moderne mund të ndihmojnë në parandalimin e tragjedive të tilla.

Pas ngjarjes, qeveria bullgare shpalli të mërkurën, 11 nëntor, ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.

Ndërkohë, Shërbimi Hetimor Kombëtar, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Jambolit, ka nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Autoritetet po shqyrtojnë kushtet e dukshmërisë, gjendjen e rrugës, sinjalistikën dhe sistemet e sigurisë në autostradë./EuronewsAlbania/