Vitia: Tmerr për qytetarët, ilaçet që shiten 2.50 euro në rajon, te ne shiten 7.50

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në përfundim të Projekligjit i cili synon të rregullojë çmimin e barnave në treg.

Vitia tha se përmes këtij Projektligji që pritet të dorëzohet muajin e ardhshëm në Qeveri për miratim, do të mundësohet që çmimi i barnave të jetë uniformë në të gjitha barnatoret në vend.

“Sa kam qenë në opozitë, pata thënë se kjo punë nuk rregullohet me Udhëzim Administrativ, kjo punë duhet të rregullohet vetëm me ligj, dhe ky ligj ka përfunduar tanimë të gjitha procedurat është katalizuar në dy javët e fundit. Sot ka dalë në diskutim publik dhe ky projektligj për çmimin e barnave do të dërgohet maksimumi në muajin e ardhshëm në Qeveri”, tha ministri i Shëndetësisë në ATV.

Ai ka bërë krahasimin e çmimeve të barnave në Kosovë me vendet e rajonit, duke thënë se ato shiten shumë shtrenjtë te ne dhe sipas tij, kjo është tmerr për qytetarët.

“Përmes këtij ligji synohet të ketë çmim më të ulët të barnave se i tanishmi. Kemi paradoksin, për shembull bari që kushton 2.50 euro në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Shqipëri tek ne shitet 7.5 euro. Kjo është një tmerr të cilin qytetarët tonë e përjetojnë çdo ditë duke u prekur në gjepin e tyre. Dhe ky ligj do të ndikoj drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve”, tha Vitia.