Në fillim të korrikut, djaloshi ishte ngjitur sipër një vagoni të trenit në Wolfratshausen dhe kapi kabllon e rrymës sipër. Ai u godit nga rryma dhe ra nga një lartësi prej pesë metrave.  14-vjeçari ishte që nga atëherë në koma. Ai ka pësuar lëndime të rënda dhe djegie të mëdha trupore. Menjëherë ishte dërguar në klinikë në Munih me helikopter.

“U konstatua se i është djegur 80 për qind e sipërfaqes trupore”, kishte thënë zëdhënësja e policisë Sina Dietsch në ditën pas aksidentit.

Pas një operacioni emergjent jeta iu shpëtua. Por, ai u vendos në koma.  Për kohë të gjatë, nuk pati deklaratë lidhur me gjendjen e djaloshit.

Të martën zëdhënësi i Policisë Federale të Munihut, Wolfgang Hauner, ka shpjeguar se kosovari është zgjuar nga koma.

Ai ka thënë se djaloshi ende po trajtohet për plagët e rënda që mori.
14-vjeçari ka qenë në një klinikë specialiste në Hannover për katër javë. Atje është trajtuar për plagët e djegies. Ai pas dy jave do t’i nënshtrohet një trajtimi tjetër në Hamburg.

Në mbrëmjen e aksidentit, kosovari ishte në hekurudhë me dy shokë tjerë 16-vjeçarë. Një nga ta mori lëndime po ashtu serioze, por jo të rrezikshme për jetë.

Zyra e prokurorit publik të Munihut kishte hapur procedurë penale ndaj tre djemve dhe nisi hetimet për ndërhyrje të rrezikshme në trafikun hekurudhor.

“Gjatë hetimeve, u bastisën shtëpitë për shkak se kishte dyshime se aksidenti ishte rezultat i një trendi në TikTok. Mirëpo, rezultoi se nuk ishte ashtu. Kështu që u ndalën procedurat ndaj tre djemve”, ka thënë zëdhënësi policor Hauner. (foto ilustruese)