Veliu ‘mezi e pret’ shkarkimin e Kurtit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, po dëshiron që Qeveria e Albin Kurtit të rrëzohet sa më shpejt.
Mirëpo, për të ndodhur një gjë e tillë kritika të mëdha ka edhe për partitë që janë në opozitë.
Ish-ministrit të Punëve të Brendshme, nuk po i pëlqen opozitarizmi që po i bëhet Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Normalisht që unë votoj gjithmonë pro rrëzimit të këtij njeriu (Albin Kurti v.j). Ky është person që i ka bërë dëme të mëdha vendit. Sidomos pas deklarimeve të tij të fundit për zgjedhje të reja, partitë politike duhet të ulen dhe të procedojnë më tutje për shkarkimin e tij”, ka thënë Veliu në një intervistë për Insajderi.
Kur u pyet se cilat janë arsyet që për të vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Veliu i listoi disa prej tyre.
“Shumë ka arsye që ky njeri (Albin Kurti v.j.) me shku në shtëpi. Nuk ka premtim që e ka bërë e që nuk ka gënjyer. Ky ka mashtruar në secilën mundësi, në secilin variant. Unë edhe më herët kam theksuar që askush s’mund t’i prish raportet e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – sepse këto janë raporte të ndërtuara në themele të forta. Mirëpo, me veprimet e fundit ky është duke i bërë dëme vendit tonë, të ardhmes sonë. Me veprimet e tij të pamatura dhe të dëmshme po humbet shumë kohë. Për mu këto janë tepër të dëmshme, tha ndër të tjera ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu.
Foli edhe për disa deklarata nga eksponentë të ndryshëm opozitarë të cilët po deklarojnë që Albin Kurti më nuk do të arrijë të bëhet kryeministër.
Veliu ka një shpjegim ndryshe për këtë.
“Ata po shprehen që Kurti nuk do të bëhet më kryeministër, mirëpo veprimet nuk i kanë të tilla. Duhet të bëhen veprime më energjike nga opozita. Veprime më të qarta. Nëse i lihet hapësirë e manivrimit në këso forma, me abstenime të ndryshme dhe mosnxjerrje të arsyeve reale se pse duhet të shkohet në zgjedhje, mund t’i krijohet një terren i favorshëm prapë”, tha në fund deputeti i LDK-së.
Mbrëmë në një intervistë në RTK, kryeministri Kurti e la të hapur mundësinë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

