VV nuk do t’i përgjigjet ftesës së Hotit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Hotit për takim me liderët politikë.

“Dje kemi pranuar një ftesë për takim me liderë, të cilës, sikurse e kemi bërë veçse të qartë, nuk do t’i përgjigjemi”, i është thënë KOHËS nga kjo parti.

Për Vetëvendosjen, nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë, pa legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se legjitime dhe jo legale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”, thuhet nga kjo parti.

LVV-ja e ka përsëritur se Kosova në dialog “u përfaqësua nga një qeveri pa legjitimitet; e çorientuar në mungesë të një platforme për dialog; e dobët në raport me palën serbe duke qenë pa mbështetje të gjerë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë e varur aty nga një instrument i Serbisë siç është Lista Serbe; dhe e nënshtruar për shkak të koncesioneve tashmë të mëdha që në fazën para-negociuese me rastin e heqjes dorë nga parimi i reciprocitetit dhe përpjekjet për fuqizim të shtetësisë së Kosovës përmes anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”.

Sipas kësaj partie, ky proces njëkohësisht po vazhdon të përshkohet me atë që e ka quajtur mungesë transparence mbi agjendën paraprake të takimeve dhe përfundimeve të tyre.

“Kjo për derivat ka deklarata plotësisht të papërgjegjshme dhe skandaloze, që shpërfaqin mungesën e përgatitjes dhe planifikimit, sikurse ajo e ditës së djeshme se të enjten ‘koordinatori i bisedimeve’ do të fillojë hartimin e marrëveshjes finale megjithëse sot, dy ditë para udhëtimit në Bruksel emri i tij vazhdon të spekulohet”, është thënë nga LVV-ja.

Takimi me liderët politikë, i thirrur nga Hoti pritet të mbahet nga orën 12:00.

Hoti ka thirrur “forum të liderëve”, për t’i informuar rreth rifillimit të dialogut me Serbinë dhe hapave të mëtejmë.

Hoti është takuar të entjen e kaluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e parë pas më shumë se 20 muajsh, që kur u ishte ndërprerë me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi që Kosova kishte vendosur tarifat prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia.