16 fëmijë u braktisën nga prindërit gjatë vitit 2021 në Kosovë

Shumë foshnje vijnë në jetë çdo ditë në Kosovë. Por, jo të gjithë i përcjellë fati i mirë që në ditët e para të jetës së tyre. Ndoshta ende pa e ndjerë në plotni ngrohtësinë e nënës, ato braktisen nga to. E, shumica nuk përjetojnë qoftë vetëm një ledhatim nga baballarët.

Fatin e të qenit të braktisur gjatë vitit 2021 e patën 16 fëmijë në gjithë territorin e Kosovës.

Zyrtarja për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Magbule Koci, ka treguar se shumica e fëmijëve të braktisur gjatë vitit që lamë pas janë të gjinisë mashkullore.

“Në bazë të raporteve të rregullta nga qendra për punë sociale komunale të vendit, nga muaji janar 2021 e deri më tani rezultojnë të evidentuar 16 raste të reja të fëmijëve të braktisur. Prej tyre, 6 fëmijë janë të gjinisë femërore dhe 10 fëmijë janë të gjinisë mashkullore”, ka thënë ajo.

Koci ka shtuar se sipas të dhënave të evidentuara, në kryeqytete janë shënuar më së shumti raste të fëmijëve të braktisur.

Në krahasim e vitin paraprak, numri i rasteve të braktisjes së fëmijëve në vitin 2021 ka shënuar rënie.

“Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit numri i rasteve të fëmijëve të braktisur ka shënuar rënie. Gjatë vitit 2020 janë evidentuar 28 raste të fëmijëve të braktisur, ku me numër më të madh të fëmijëve të braktisur kanë qenë Qendra për Punë Sociale e Mitrovicës dhe ajo e Prizrenit”, ka bërë të ditur ajo për lajmi.net.