174 mijë aplikime nga jashtë, periudha e votimit zgjatë deri me këtë datë

Ka mbetur vetëm edhe pak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të dal me raportin e detajuar për sa i përket periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bën të ditur për KosovaPress se të gjithë ata që janë regjistruar me sukses si votues jashtë Kosovës do të largohen nga lista e votuesve në Kosovë.

Elezi: Periudha e votimit përmes postës zhvillohet nga data 2 deri më datën 12 shkurt

“Të gjithë ata qytetarë, të cilët do të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit do të munden të votojnë përmes postës nga data 2 shkurt. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, e ka precizuar që fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së para ditës së zgjedhjeve. Pra, periudha e votimit përmes postës zhvillohet nga data 2 deri më datën 12 shkurt”, bën të ditur ai.

Ndërkaq në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të premten, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se janë mbi 174 mijë aplikues përmes e-mailit për zgjedhjet e 14 shkurtit, proces i cili është pritur të përfundonte dje. Teksa ka shtuar se këto të dhëna janë preliminare dhe numri mund të ndryshojë meqë ka raste kur përmes një e-maili janë dërguar shumë aplikacione.