18 vjeçari ndalohet duke vozitur me 216 km/h
Policia ka vënë në pranga një 18-vjeçar, i cili drejtonte pa patentë automjetin e tij me një shpejtësi prej 216 km/h.
Ai është konstatuar me anë të radarit në aksin rrugor Tiranë – Elbasan.
Shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nisur nga analiza e kryer për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, kanë vijuar monitorimin e qarkullimit rrugor me anë të radarëve automatikë. Gjatë kontrolleve në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 18 vjeç, pasi drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h, thuhet në njoftimin e policisë.