Vendimi i Thaçit dëshmon përkushtim institucional dhe ndjeshmëri ndaj mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve
Vana Jerliu Ramadani
Kujdesi ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore mbetet një sfidë serioze e cila duhet të trajtohet në nivel shtetëror dhe përmes politikave afatgjata, e jo vetëm në nivel komunal.
Megjithatë, iniciativa të tilla lokale, si kjo e komunës së Obiliqit, kanë rëndësi të veçantë dhe shërbejnë si shembull pozitiv për institucionet e tjera.
Si punonjëse sociale e licencuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe terapiste e shëndetit mendor, e konsideroj thelbësore që rastet e fëmijëve pa kujdes të duhur prindëror të trajtohen me standarde të larta profesionale.
Kjo përfshin sigurimin e ekipeve të specializuara multidisiplinare, të cilat do të përcjellin rastet me kujdes të shtuar dhe do të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për fëmijët.
Po ashtu është e domosdoshme ofrimi i shërbimeve të shëndetit mendor për fëmijët dhe prindërit që kanë humbur të drejtën e kujdesit ndaj fëmijëve të tyre biologjikë.
Ndërhyrjet terapeutike dhe programet e rehabilitimit prindëror janë thelbësore për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Angazhimi institucional në mbrojtjen e fëmijëve dhe forcimin e shërbimeve sociale është investim në të ardhmen e shoqërisë.
Inkurajoj Kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi që të vazhdojë këtë punë të mirë dhe të forcojë më tej politikat dhe shërbimet që vendosin mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në qendër të vendimmarrjes publike.
Vendimi i tij dëshmon përkushtim institucional dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve.
………………….
(Autorja është punonjëse sociale e licencuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe terapiste e shëndetit mendor)

