20 vjet pa hoxhën, ndër më të njohurit në Kosovë – Hafëz Mustafë (Bilall) Sadriu
Sot janë bërë 20 vjet kur ndërroi jetë hoxha, ndër më të njohurit në Kosovë, Mustafë (Bilall) Sadriu, shkruan Mediafokus.info.
Gjatë karrierës së tij, hoxha nga Gjilani dha kontribut të jashtëzakonshëm për edukim të brezave, gjithnjë në frymën fetare e kombëtare.
Mulla Mustafë Sadriu ishte hafëz i Kuranit (e dinte Kuranin përmendsh) dhe, siç rrëfen djali i tij, Muhamedi, në garat mbarëkombëtare merrte pjesë në vazhdimësi dhe shpallej më i miri.
Në pamje të parë hijerëndë, por në momentin që takoheshe me të, jashtëzakonisht miqësor e i këndshëm, hoxha i famshëm nga Gjilanit të magjepste me qëndrimin e tij dhe artikulimin në hydbet e xhumasë, me dijen e tij e me ngjyrën veçantë të zërit.
Ai ishte djali i mulla Bilall Sadriut, apo siç njihej, hoxha i hoxhallarëve të Anamoravës. /mediafokus.nfo/
Më poshtë, po e publikojmë përkujtimin plot emocion të djalit të tij Muhamed Sadriut:
Në njëzetvjetorin e ndërrimit të vendbanimit nga bota e përkohshme në botën e amshueshme
“Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni”.
“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”.
Në shenjë respekti e rikujtimi: 04 Nëntor 2022
Hafëz Mustafë (Bilall) Sadriu (1939 – 2002)
U lind në Llovcë të Gjilanit, në vitin 1939. Në moshën 9-vjeçare kreu Hafëzllëkun (mësimin e Kuranit përmendsh) duke e mbrojtur para Komisionit të cilin e kishte lënë gojëhapur për dy arsye: e para ishte fëmijë dhe ishte hafëzi më i ri që kishin parë e dëgjuar ndonjëherë, dhe e dyta për përpikërinë dhe qartësinë e leximit të Kuranit famëlartë.
Nga mosha 14-vjeçare kishte filluar shërbimin nëpër xhami të ndryshme nëpër gjithë Kosovën, në fillim si Mukabele e pastaj si imam, për muajin e shenjtë të Ramazanit.
Ndërsa, si imam i rregullt kishte filluar në fshatin Radivojc (komuna e Vitisë) ku shërbeu për 15 vite. Në të njëjtën kohë, ua mësonte fëmijëve mësim-besimin fetar islam. Nga këtu u transferuar në Gjilan lagjen Arbëria (ish Çenar Çeshme), ku shërbeu si imam, por edhe në edukimin e brezit të ri në sferën e mësim-besimit, derisa ndërroi vendbanim nga kjo botë kalimtare në botën e amshueshme.
Ishte pjesëmarrës i rregullt i garave gjithëkombëtare në leximin-këndimin e Kuranit famëlartë dhe gjithmonë ishte ndër tre më të mirët (për të mos thënë – më i miri).
P.S. Për disa që shkruajnë libra e shtrembërojnë historinë: gjatë luftës së fundit në Kosovë Hafëz Mustafa kishte shërbyer në Gjilan dhe nuk ishte larguar për asnjë moment nga qyteti, bile dy herë u kishte shpëtuar plumbave të paramilitarëve në lagjen Iliria (ish-Kamnik)…
Çka do që unë shkruaj për ty, më i shtrenjti ynë, është subjektive sepse jemi pjesë e jotja. Por, ndihemi krenar që kemi qenë fëmijët e një dijetari si ti dhe shumë të vegjël në krahasim me veprat madhore që ti ke lënë pas. Allahu të shpërbleftë me xhennet!

