21 Komuna shkojnë në balotazh
Zgjedhjet e 17 tetorit nxorën 17 fitues në rundin e parë, ndërkaq 21 komuna do të shkojnë në balotazh.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi pa balotazh në Skenderaj, Mitrovicë, Ferizaj, Kaçanik e në Han të Elezit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Pejë e Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë e Deçan.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur që ta mbajë asnjë komunë në të cilën ajo qeveriste.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna do të shkojnë në balotazh, mes tyre të gjitha komunat e mëdha, përveç Mitrovicës e Pejës.
Në Prishtinë gara për balotazh do të jetë mes Arben Vitisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Garë në balotazh do të ketë edhe në Podujevë, ku momentalisht është duke prirë kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni ndërsa i dyti është Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Fushë Kosova dhe Gjilani, do të jenë në garë LDK-Vetëvendosje, përkatësisht Burim Berisha me Enver Bajçincën dhe Alban Hyseni me Lutfi Hazirin.
Balotazh LVV-LDK do të ketë edhe në qytetin e Vitisë.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ta fitojë Prizrenin pa balotazh. Në garën e balotazhit, VV-ja do ta ketë përballë Shaqir Totajn dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
LDK-ja do të jetë në balotazh edhe në komunën e Junikut, ku në garë do të jetë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
NISMA Socialdemokrate nuk ka arritur ta fitojë atë që njihej si bastion i saj, Malishevën. Në këtë komunë, NISMA do të jetë në garë me Partinë Demokratike e Kosovës.
Qëndron Kastrati i PSD do ta ketë përballë ish-partinë e tij, Vetëvendosjen në garën për balotazh në Kamenicë.
Balotazh do të ketë edhe në Obiliq, Viti, Kaçanik, Shtime, Rahovec, Gjakovë, Dragash, Istog, Vushtrri, Drenas, Kllokot dhe Junik.

