30-vjeçarja vdiq në sallën e lindjes, familja kërkon përgjegjësi nga mjekët
Në sallën e lindjes, një 30-vjeçare humbi jetën, ndërkohë mjekët thonë se e reja vdiq si pasojë e një infarkti akut të miokardit.
Megjithatë, dughet pritur përgjigjen përfundimtare nga ekspertiza mjeko-ligjore mbi shkakun e vdekjes së 30-vjeçares, e cila kishte shkuar për të lindur.
Fillimisht mjekët u kanë thënë familjarëve se gruaja pësoi trombozë, kurse vetëm pak minuta më vonë u kanë dhënë një tjetër njoftim, që vdekja e gruas erdhi për shkak të një ataku kardiak.
Kjo kontradiktë për shkaqet e vdekjes së gruas ka bërë që familjarët të ngrenë dyshime për mjekim të gabuar të saj.
Viktima është Elisabeta Lamaj nga fshati Vlosht, e martuar në Drenovë të Re, në Ballsh. Nëna e re, e cila ka edhe një fëmijë tjetër 5 vjeç, nuk ka shfaqur asnjë shqetësim tjetër më parë. Ajo e kishte planifikuar lindjen, pasi edhe fëmijën e parë e kishte lindur me operacion.
Familjarët kanë deklaruar në Prokurori se duan që 30-vjeçares t’i bëhet ekspertiza mjekoligjore, për të mësuar shkakun real që solli vdekjen e saj.
Prokuroria e Fierit ka nisur punën për të hetuar shkaqet e vërteta të vdekjes së sallën e lindjes të gruas së re. Po ashtu, pritet që një grup mjekësh nga Tirana të këqyrin trupin e pajetë të viktimës. Ekspertiza mjekoligjore do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes së 30- vjeçares, Elisabeta Lamaj.

