Gruaja e rrah me bisht fshese ish-bashkëshortin

Një 51-vjeçar është rrahur me bisht fshese nga ish-gruaja, me të cilë janë divorcuar prej shtatë vitesh. “Ndarja e pasurisë” ka bërë që ish-çifti të rikthehet në pozita “lufte”.

Aq në konflikt janë të dy grua e burrë, saqë ky i fundit, për të provuar që e kishte rrahur ish-bashkëshortja, ka ngritur në polici pantallonat lart dhe ka treguar shenjat.

“I shikoni, janë shenjat e fshesës. Ajo mori shkopin dhe pa hezitim më qëlloi sepse donte të më nxirrte nga dyqani” deklaron në kallëzim shtetasi L.V.

Policia, sipas Gazetës “Si” disponon dokumentet që vërtetojnë qëndrimin e ankuesit. Mes letrave është edhe vërtetimi se palët, ditën e rrahjes, ishin thirrur në gjykatë për procesin civil ku duhet të ndahej pasuria mes tyre.

L.V shpjegon se atë ditë ish-bashkëshortja nuk ishte paraqitur në seancë.

“Menjëherë pas kësaj mungese vendosa të shkoj në punën e ish-gruas, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, ku ajo ka një dyqan“, thotë burri i keqtrajtuar sipas dosjes që posedon Gazeta “Si”.

“Në momentin që kam hyrë në dyqan, ish-bashkëshortja ka marrë një bisht fshese dhe filloi të më godasë me të nga këmbët ku kam aktualisht shenjat”, ankohet 51-vjeçari që nuk ka hezituar të kërkojë urdhër mbrojtjeje.

Policia i shpjegoi Gazetës ”Si” se çifti është i njohur në drejtorinë vendore të Tiranës, pasi më herët për dhunë ndaj saj ka kallëzuar edhe ish-gruaja.

“Është e vërtetë. Gruaja e ka shfrytëzuar mërzinë time dhe më ka denoncuar për dhunë më herët. Për dhunë kam bërë dhe burgun”, mbyll kallëzimin 51-vjeçari, i cili ndërkohë ka kërkuar sipas policisë një urdhër mbrojtjeje derisa gjyqi civil për pronat të përfundojë. (foto arkiv)