4 vjet nga fillimi i autostradës Gjilan-Prishtinë, kush e di se kur do të përfundojë?!

Pikërisht në 19-vjetorin e Betejës së Zhegocit kishte nisur në mënyrë simbolike autostrada Pristinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Hapjen zyrtare të punimeve e kishe bërë Ramush Haradinaj, asokohe kryeministër i Kosovës dhe Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit.

Por, katër vjet më vonë, punimet kanë ngecur dhe nuk dihet akoma se kur do të përfundojë ky projekt kapital që e lidh Kosovën me korridorin e dhjetë ndërkombëtar.

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është shprehur disa herë se ky projekt ka probleme në shpronësime, duke mos dhënë datë se kur do të përfundojë.

Njësoj është shprehur edhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, në një përgjigje dhënë për transmetuesin publik.

“Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, autostrada me shumë probleme – me probleme të natyrave të ndryshme, mungesa e buxhetit, e shumë të tjera kanë shkaktuar telashe mjaft të mëdha. Gjatë vitit të kaluar ne në buxhet kemi pasur vetëm 2.2 milionë euro për shpronësime për gjithë territorin e Kosovës për të gjitha projektet”, ka thënë Durmishi.

Ndryshe, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se në këtë ditë ndihet krenar kur i kujtojmë të rënët për liri, duke shtuar se sot na është bashkuar edhe një ndjenjë tjetër.

“Sot atdheu ynë po bëhet më i bashkuar. Realizimi i këtij projekti është meritë e të gjitha qeverisjeve paraprake”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i atëhershëm i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishte deklaruar se nuk ka pasur ditë më të mirë për fillimin e këtij projekti gjigant, sesa në shënimin e përvjetorit të madh të Betejes së lavdishme të Zhegocit, në të cilën u vranë 8 ushtarë të luftës çlirimtare dhe 18 civilë.

Ai pati falënderuar qeverinë Haradinaj dhe qeverinë e Isa Mustafës, përkatësisht ish- ministrin Zharku, për projektimin e kësaj autostrade, projekt ky që do të krijoj zhvillim të hovshëm ekonomik për gjilanasit dhe Anamoravën në përgjithësi.

“Nuk është rastësi që autostradën e kemi çu deri në Konqul sepse Kosova Lindore bashkë me Malësinë e Gollakut përbëjnë 30 për qind e populllatës së Republikës. Ky projekt jep mundësi që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo zonë të integrohet në më pak se gjysmë ore distancë kohore, por edhe Kosovës i jep mundësi për dalje në korridorin e 10 ndërkombëtar”, kishte thënë Haziri.

Sidoqoftë, edhe pas katër vjetësh nga nisja e punimeve, përfundimi i autostradës Gjilan-Prishtinë ende mbetet larg. /mediafokus.info/