53% e amerikanëve thonë se janë më keq financiarisht që kur u rikthye Trumpi
Një sondazh i Financial Times tregon se shumica e votuesve amerikanë ndihen më keq financiarisht që nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, duke sfiduar pretendimet e administratës së tij për përmirësim të gjendjes ekonomike.
Të pyetur nëse gjendja e tyre financiare është përmirësuar apo përkeqësuar që kur Trump mori detyrën në janar të vitit 2025, 53 për qind e votuesve të regjistruar kanë deklaruar se janë më keq financiarisht.
Pakënaqësia është edhe më e lartë mes votuesve të pavarur, ku 57 për qind thonë se situata e tyre financiare është përkeqësuar. Edhe rreth një e katërta e votuesve republikanë kanë shprehur pakënaqësi.
Sondazhi vjen më pak se tre muaj para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA dhe tregon se inflacioni dhe kostoja e jetesës po shndërrohen në tema gjithnjë e më të rëndësishme elektorale.
Edhe pse inflacioni raportohet në 3.4 për qind, votuesit amerikanë duket se kanë më shumë besim te demokratët për menaxhimin e inflacionit dhe kostos së jetesës.
Sipas rezultateve, demokratët kanë marrë avantazh për herë të parë edhe në çështjet e punësimit dhe ekonomisë, fusha që tradicionalisht kanë favorizuar republikanët.
Rezultatet përbëjnë një sinjal shqetësues për Trumpin dhe Partinë Republikane, pasi gjendja ekonomike dhe kostoja e jetesës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e nëntorit.

