6 muaj pandemi
Sot shënohen 6 muaj që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin si pandemi.
Më 11 mars, kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se ishte thellësisht i shqetësuar nga niveli i lartë i mosreagimi ndaj këtij virusi. Në atë kohë ai iu bëri thirrje qeverive të botës të ndryshojnë kurs dhe të ndërmarrin hapa agresive kundër Covid-19.
Po atë ditë, disa orë më vonë Italia vendosi masat më të forta të izolimit, që asnjë vend tjetër në Europë nuk i kishte vendosur. Italia dhe Irani ishin në këtë kohë epiqendra e pandemisë, ndërkohë që Kina dhe Koreja e Jugut e kishin kaluar pikun.
Tashmë, saktësisht 6 muaj më vonë, rastet e reja me Covid-19 janë duke u rritur në mënyrë eksponenciale në disa vende.
Gjashtë muaj pas, numri i njerëzve të infektuar vazhdon të rritet në shumë vende.
Mbi 27 milionë njerëz janë konfirmuar pozitivë në gjithë botën.
Prej tyre, mbi 909,000 kanë vdekur dhe afro 19 milionë janë shëruar.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të viktimave: mbi 191,000.
Ato pasohen nga Brazili, India dhe Meksika.
Në Evropë, numrin më të madh të viktimave e ka Mbretëria e Bashkuar: mbi 41,000.