71-vjeçari që jetoi trimërisht dhe vdiq burrërisht

Abdyl Bajrami

Më 16 maj 1999, para 22 vitesh, forcat ushtarake e paramilitare serbe vranë plakun 71-vjeçar, Rrahim Ramadanin, për ta përgjakur edhe njëherë Vërbanin e  komunës së Vitisë.

Rrahimi kishte lindur (20.07.1928) nga prindërit Ramadani dhe Mihanja, në kohën kur në tokat shqiptare vendoseshin kolonistët serbë e malazezë, në bazë të elaborateve të kobshme të kolonizimit, të Vasa Qubrilloviqit.

Fëmijërinë e kaloi në vitet kur ushtrohej një represion i madh shtetëror ndaj popullit tonë nga mbretëria SKS.

Edhe pse pritej me entuziazëm që pas Luftës së Dytë Botërore vendi do të çlirohej, Kosova, prapë mbeti në robëri.

Pra në kushte të vështira Rrahimi jetoi e punoi dhe rriti nëntë fëmijë. Kontributi i tij nuk ishte vetëm familjar, sepse Baca Rrahim dha kontribut edhe në çështjen kombëtare.

Kontribut dha në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur malet rreth Vërbanit ishin mbushur me luftëtarë lirie, që nuk e pranonin okupimin e ri jugosllav. Rrahimi u angazhua në furnizimin me ushqime e veshmbathje për liridashësit.

Por edhe në vazhdim nuk u ndal baci Rrahim, në mënyrë të veçantë dallohen momentet kur u bashkua të rinjve në demostratat e viteve tetëdhjeta e nëntëdhjeta në Ferizaj.

Baci Rrahim ishte kunder denimit te demonstratve te vitit 1981, në mbledhje në shkollen e fshatit dhe në mbeshtetje te studenteve.

Më vonë në demostratat e vitit 1989, me humor e tregonin fshataret momentin kur së bashku me Isak Berishën (shokun e tij të pandarë) i ngujuan policia speciale në një lokal të pistë në Ferizaj.

Baca Rrahim u aktivizua edhe në mbështetje të luftës së UÇK-së, në strehimin e pjestarëve të UÇK-së dhe aktivitete tjera.

Më 16 maj 1999, një njësit paramilitar serb, pas plaçkitjes dhe tmerrit që bëri nëpër fshatin Vërban, në distancë, me snajper gjuajti në drejtim të Rrahimit, i cili për momentin ishte në oborrin e vet, derisa familja e tij ishte e vendosur në malin e afërt.

Një nga plumbat goditi bacin Rrahim. Goditja ishte fatale, mirëpo edhe pse ishte plagosur rëndë, baca Rrahim nuk rënkoi fare, por vdiq ashtu si vdesin burrat.