72-vjeçares i grabitet kuleta në mes të ditës

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu, një 72-vjeçare ka përjetuar momente frike në mes të ditës në Mitrovicën e Veriut, kur një person i panjohur ia ka grabitur kuletën dhe është larguar me shpejtësi.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 10:30 në rrugën “Knjaz Millosh”. Sipas viktimës, grabitësi i ka goditur dorën, duke i rrëzuar kuletën në tokë, e më pas e ka marrë dhe është futur në një veturë të bardhë tip “pikap”, duke ikur në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve.

Në kuletë gjendeshin dokumentet personale të Kosovës dhe Serbisë, si dhe rreth 10 euro para të gatshme. I dyshuari, sipas përshkrimit, ishte i gjatë, i veshur me duks të zi dhe me kapuç në kokë.

Prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorit.