7912 kosovarë janë punësuar në Kroaci gjatë vitit 2021

Duket se Kosova nuk po i trajton mirë punëtorët e saj, prandaj ata më me dëshirë zgjedhin të punojnë në një vend të tretë, duke lënë edhe familjen.

Referuar të dhënave që ka publikuar deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj, qytetarët e Kosovës janë të tretët me vende pune në Republikën e Kroacisë.

Ndërkohë ata nga Shqipëria janë në pozitën e 6-të sa u përket shtetasve të huaj të punësuar në këtë shtet.

“Sipas të dhënave të fundit të MBP-së, gjatë vitit 2021 në Republikën e Kroacisë janë të punësuar 7912 shqiptarë nga Republika e Kosovës, d.m.th. shtetasit kosovarë janë të tretit me vend pune në Republikën e Kroacisë. Nga Shqipëria janë të punësuar 3719 persona, pra shtetasit shqiptarë janë të gjashtit me vend pune në Kroaci”, ka shkruar Prljaskaj në Facebook.