2 vjet pandemi: Kjo është infektologia që e ekzaminoi pacientin e parë pozitiv me COVID-19 në Kosovë
Infektologia e njohur nga Gjilani, dr. Selvete Shurdhani, e cila e kontrolloi pacientin më 12 mars 2020, që rezultoi të jetë i pari person që rezulton pozitiv me COVID-19 në Kosovë më 13 mars, ka folur enkas për Mediafokus.info.
“Në natën e 12 marsit, Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti, e udhëzon një pacient në mënyrë të specifikuar, si të dyshuar për COVID-19, pasi që ai kishte ardhur nga Italia. Pasi ia kemi bërë ekzaminimet radiologjike dhe hematologjike, të cilat nuk kanë qenë shumë në korealcion me infeksionet virale, në konsultim me Klinikën Infektive, e kam dërguar në QKUK dhe më 13 mars ka rezultuar pozitiv”, ka thënë infektologia Shurdhani për Mediafokus.info.
Në të njëjtën ditë, është vet-izoluar ajo dhe i tërë stafi i Qendrës Emergjente, së bashku me stafin e QMF’së në Viti.
“Fatmirësisht kemi dalë të gjithë negativë. Njerëzit më kanë thirrë në telefon, diqysh kanë shprehur keqardhje, duke menduar se unë jam pozitiv. Nuk e kanë kuptuar fjalën vet-izolim dhe infektim. Ka pasur raste që i kanë thënë familjarëve të mi që “‘t’u ka infektu nana, t’u ka infektu gruaja…etj’”, ka thënë Shurdhani për Mediafokus.info.
Ndryshe, rasti i parë i konfirmuar COVID-19 pozitiv në Kosovë është një 80-vjeçar nga Stublla e Vitisë, i cili i mbijetoi virusit.
Ndërkaq, rasti i parë i vdekjes është regjistruar më 23 mars, ku virusi i mori jetën një 82-vjecari nga fshati Dumnicë i Podujevës.
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë, mbi tre mijë e 120 qytetarë kanë humbur betejën me këtë virus, ndërkaq janë infektuar mbi 226 mijë të tjerë. /Mediafokus.info/