Spektakël me arrestime por dështime në gjykata: Historia që i përsëritet Kosovës
Spektakël me arrestime, por dështime në gjykata! Pse?
50 policë të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhjetra zyrtarë ministrorë vihen nën pranga për keqperdorim me subvencione të bujqve, biznesmenë e zyrtarë policorë të arrestuar në rastin “Brezovica” për dallavere me prona.
Këto janë vetëm disa prej aksioneve që u inicuan së fundi nga drejtësia kosovare. Aksione të ngjashme nuk kanë munguar as në të kaluarën. Madje, me njësi speciale e me shumë kamera, arrestoheshin persona me pompozitet e me krenari se po luftohej krimi e korrupsioni. Por fundi, vlerësohej i dështuar.
Aksionet e fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës, ku vunë në pranga kolegë të tyre, zyrtarë ministrorë e biznesmenë të pasur duken në shikim të parë si luftë e pakompromis ndaj krimit e korrupsionit. Por, e kaluara ka treguar se rastet me bujë mediale, nuk përfundojnë me sukses edhe në sallat e gjykimeve.
“Pronto”, arrestimi i Hashim Rexhepit ish Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, “Vizat” e Ukë Rugovës, rasti “Stenta”, e arrestime tjera të zyrtarëve publikë.
Të gjitha këto raste së bashku, deri tani duket se e kanë një të përbashkët. Një spektakël që shumë herë vlerësohet i panevojshëm. Por, çka kishte ndodhur me dy nga rastet më të famshme në Kosovë?
Rasti i Hashim Rexhepit, ish guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës
Rasti i Haxhim Rexhepit është shembull tipik i një drejtësie të quajtur spektakolare. Arrestimi i tij ishte bërë lajm edhe në mediet ndërkombëtare.
Rexhepi u arrestua në korrik të vitit 2010, në një aksion të madh të ndërmarrë nga Policia e Kosovës dhe misioni i EULEX-it, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe mashtrim.
Ai qëndroi në paraburgim katër muaj, korrik-nëntor 2010, për t’ju shqiptuar pastaj masat e tjera, si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë.
Rexhepi u shpall i pafajshëm në vitin 2011 nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës asokohe, për t’u liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të.
Por këtu nuk përfundoi beteja e tij ligjore me drejtësinë kosovare. Në fakt këtu nisi një betejë e re e e gjatë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Menjëherë pas lirimit të tij nga akuzat, në vitin 2012 Rexhepi e paditi shtetin e Kosovës, respektivisht Këshillin Gjyqësor të Kosovës për dëm të konsiderueshëm material e moral për mbajtjen e tij në paraburgim pa bazë ligjore, siç thuhet në padi. Ai nga shteti i Kosovës kërkoi rreth 2 milionë euro për dëmet që i kishte vuajtur.
Pas stërzgjatjes e zhagitjeve të shumta të kësaj lënde, Gjykata Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2020 kishte pranuar pjesërisht kërkesë-padinë e Rexhepit, ku në aktgjykim thuhet se ai për dëmin e shkaktuar material dhe jomaterial do të kompensohet me 200 mijë euro. Ndaj këtij aktgjykimi, Rexhepi u ankua në Gjykatën e Apelit, në afatin e paraparë ligjor prej 15 ditësh. Por sot e asaj dite, kjo lëndë gjygjësore nuk ka marrë epilog përfundimtar.
Rasti Pronto
Shpërfaqja e bisedave telefonike ndërmjet krerëve të shtetit e vartësve të tyre nëpër institucione e kishte shkundur skenën e atëhershme politike si dhe tërë opinionin publik. Në biseda dëgjoheshin krerë të shtetit të atij vakti si: Hashim Thaçi, Kadri Veseli e kryeprotagonisti, telefoni i të cilit po përgjohej nga misioni i EULEX-it në Kosovë, Adem Grabovci.
“Rasti Pronto” shpërfaqi ndikimin e PDK-së, atë botë parti në pushtet, në emërime për pozitat kyçe të shtetit, ku përmes telefonatave që kryheshin nga ish shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, siguroheshin vende pune, e favore të ndryshme që njerëzit e përfshirë mernin nga shteti.
Për këtë rast në prill të vitit 2018 aktakuzën e kishte ngritur Prokuroria Speciale, konkretisht prokurorja Drita Hajdari, ku të akuzuar ishin 11 persona. Ndër ta ish shefi i grupit parlamentar të PDK-se Adem Grabovci, ish ministri e deputeti nga kjo parti Zenun Pajazi, ish ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj e persona të tjerë me ndikim në Kosovë. Mbi ta rëndonin akuza që kryesisht lidheshin me funksionin e tyre publik. Ndër akuzat më forta, rëndonin pikërisht mbi kryeprotagonistin e kësaj afere “shefin e shefave” siç e quante ai veten në këto përgjime Adem Grabovcin i cili akuzohej për “shkelje të statusit të barabartë të shtetasve” në nëntë raste.
Më 3 janar të vitit 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Grabovcit dhe 10 të akuzuarve të tjerë. Në po të njëjtin vit Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë duke e shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin. Ndaj Grabovcit, Apeli shqiptoi dënim unik prej 1 vjet e 4 muaj, dënim i cili nuk do të ekzekutohej, me kusht që brenda 2 viteve ai nuk kryen vepër tjetër penale.
Grabovcit ky dënim iu duk i rëndë, andaj pafajësinë e tij e kërkoi në shkallën finale të gjyqit, në Supreme. Supremja në qershor të vitit 2020 pas shqyrtimit të ankesave të Grabovcit dhe Prokurorisë Speciale, e gjeti si të bazuar ankesën për mbrojtje të ligjshmërisë nga Grabovci dhe rastin e ktheu në rigjykim.
Epilogu përfundimtar i çështjes më të përfolur në Kosovë erdhi në shtator të vitit 2021, ku Gjykata e Apelit e liroi Grabovcin nga të gjitha akuzat me të cilat ngarkohej.
Pse po dështojnë “rastet spektakolare”
Ish kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani ka thënë se arsye për këto dështime, shpesh janë edhe ndikimet nga opinioni, aktakuza të cilat pastaj rrëzohen shumë shpesh.
“Për bindjen time, në raste të tilla, që me pompozitet promovohen në opinion si sukses i madh i organit të ndjekjes dhe që ka interes publiku ta shikoj një luftim të tillë, real, të vrprave penale, veçmas të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e që më pas dështojnë, faji qëndron tek organ i ndjekjes (prokurori), te cilët ngrisin akuza të tilla, shpesh herë të ndikuar nga opinioni dhe në mungesë të profesionalizmit, me supozime, hamendësime, me indicie dhe më pas nuk ja arrijnë që tezat nga akuza t’i argumentojnë në Gjykatë”, ka thënë Hasani per nacionale.
Profesori Hasani për këtë dështim të drejtësisë nuk i kursen as gjykatat:
“Nuk e përjashtoj mundësinë që edhe gjykatat të gabojnë kur marrin aktgjykime liruese, për shkak të vlerësimit të gabuar të provave, ngase ka gjyqtar që ju mungon ekspertiza, dhe dija e mjaftueshme. Mirëpo gjykata është më e vështirë të lajthitet, eventualisht kjo mund të ndodhë në shkallën e pare, por të pakta janë rastet që kjo të mos evitohet nga dy instancat e tjera pastaj”. thotë Hasani.
Lufta ndaj krimit e korrupsionit ishte ndër kauzat kryesore të Kurtit, në të gjitha fazat e zhvillimit të tij politik.


 
 
						 
						