Ambasada Britanike mohon se i ka shkëputur kontaktet me Presidentin Thaçi

Ambasada e Britanike ka demantuar raportimin e sotëm të “Kohës Ditore” në të cilin thuhej se misionet e huaja në Kosovë, përfshirë edhe atë të britanik, kanë bllokuar komunikimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas zhvillimeve të fundit të nxitura nga Prokuroria Speciale e Hagës.

“Ambasada Britanike vazhdon që të ketë komunikim me të gjithë liderët politik e institucional në Kosovë. Kjo është diçka normale dhe esenciale për punën diplomatike të Ambasadës”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë nuk ka bllokuar komunikimin me asnjë prej liderëve politik e institucional të vendit.

“Si një partner dhe shtet mik i Kosovës, Britania e Madhe mbetet në kontakt me të gjithë institucionet e shtetit të Kosovës, me të gjithë partitë parlamentare, bashkë qeverinë dhe opozitën. Ambasada nuk ka “bllokuar komunikimin me asnjë lider politik apo institucional. Kushdo që thotë që diçka e tillë është bërë ka gabuar”, thuhet në reagim.

Përveç ambasadës së Britanisë së Madhe, në raportim të Kohës Ditore thuhej se Thaçit ia ka bërë “bllok” edhe ambasada e Francës.