Përfundon takimi i thirrur nga Hoti, NISMA kërkon që Kosova të mos rrëshqas në dialog teknik

Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti me disa nga përfaqësuesit e partive politike në vend, me të cilët ka diskutuar për procesin e dialogut të Brukselit.

Në takim kanë marrë pjesë vetëm partnerët e koalicionit qeverisës dhe AKR-ja, pasi dy partitë opozitare, LVV dhe PDK e kanë refuzuar ftesën e kryeministrit.

Anëtari i kryesisë së Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi para gazetarëve tha se Kosova nuk duhet të rrëshqas në dialog teknik, derisa nuk konfirmoi nëse shefi i ekzekutivit iu ka paraqitur koordinatorin për dialog në këtë takim.

“Nëse një koordinator do të ketë kompetencat siç kanë pasur koordinatorët e mëparshëm, atëherë është rrezik të rrëshqitet në dialog teknik. Kryeministri u zotua që nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që Kosova dhe kjo qeveri të rrëshqas drejt një dialogu teknik”, deklaroi Sherifi.

Teksa ministri i Drejtësisë nga AAK, Selim Selimi dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu nuk u prononcuan për media.