‘Ma mirë sy më sy e zemrat pa dry…’
Shumëkujt prej jush i kujtohet autori i këtyre vargjeve, pavarësisht se ai nuk jeton fizikisht mes nesh prej gati 29 vitesh, shkruan Mediafokus.info
Ali Huruglica (1930 – 1996) u lind në fshatin Gjyrishec të Dardanës, ku e kaloi fëmijërinë si bari dhish dhe dhensh.
Shkrim-lexim mësoi nga gjyshi dhe babai i tij Salihu, si autodidakt.
Në vitin 1942 regjistrohet në klasën e dytë në shkollën fillore në Gjilan.
Pas disa ndërprerjeve shkollën e plotë fillore arriti ta kryej në vitin 1948 dhe u emërua mësues në fshatin Ramjan të Vitisë.
Në këtë profesion që e deshi shumë, punoi plot 24 vjet.
Brenda këtyre viteve, pa shkëputje nga puna, arriti ta kryej shkollën e mesme Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë.
Në Shkup, një kohë punoi si redaktor i revistave për fëmijë ‘Gëzimi’, ’Fatosi’ dhe ‘Flaka e Vëllazërimit’.
Pas shpërnguljes nga Shkupi dhe vendosjes me familje në Gjilan, emërohet drejtor i bibliotekës së qytetit, ku zhvilloi një aktivitet dhe punë shumë të frytshme në fushën e afirmimit të veprimtarisë letrare tek fëmijët dhe të rriturit.
Gjatë kësaj kohe, sa ishte udhëheqës i bibliotekës (1973 – 1996) themeloi dhe udhëhoqi Klubin letrar ‘Dardania’, në kuadër të të cilit themeloi Shkollën për letrarët e vegjël.
Me krijimet letrare të krijuesve të vegjël – vijues të kësaj shkolle, nxori dy numra të revistës letrare për fëmijë ‘Ylberi’ si dhe veprën ‘Libri që po shkruhet’ me punime të zgjedhura të anëtarëve të klubit letrar.
Ali Huruglica fëmijërinë e kaloi në natyrën e bukur të vendlindjes, ku tok me dhitë dhe delet shëtiti skutë më skutë, luginë më luginë, burim më burim.
Ai, nëpër degat e ahut e të lajthisë u luhat tok me puhizën e freskët të flladit ledhatues të vendlindjes së tij.
Ato bukuri të pa përshkruara iu ngulitën thellë në dashurinë shpirtërore, për t’i nxjerrë më vonë më varg poetik, tok me cicërimat e zogjve, në fluturimet e fluturave, në fyellin e bariut, në çiftelinë e sharkinë që kurrë nuk i largoi nga vargu i tij.
Në të gjitha momentet, Ali Huruglica me vargun e tij tematik shëtiti në të katër anët e vendlindjes.
Dashuria e tij për atdheun preku butë dhe me përkëdheli edhe treva të tjera shqiptare.
Si krijues i talentuar i letërsisë për fëmijë, ai zë vend të merituar në shumë publikime të autorëve individual e kolektiv, në leksikone e antologji, në numra jubilar e në shumë vepra të kritikëve të letërsisë për fëmijë.
Vepra e tij, në vite e shekuj do të mbetet një mësuese e mirë në aspektin edukativ, arsimor e patriotik.
Ata që lënë vepra pas vete, ata kontribuojnë për vendin e tyre edhe pas vdekjes.
Një aforizëm popullor thotë: ‘Nuk është i vogël ai popull që njihet nëpërmes njerëzve të mëdhenj’.
Sot në Gjilan, një rrugë mban emrin e tij, por Ali Huruglica meriton edhe më shumë se kaq.
Në stilin e poetit, kjo do të tingëllonte: ‘Ma mirë sy më sy e zemrat pa dry…’ /Mediafokus.info

