IKSHP: 8 raste me fruth, thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

Pas konfirmimit të 8 rasteve me fruth, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet shëndetësore po e monitorojnë situatën epidemiologjike duke qenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj.

Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit.

Fruthi është një sëmundje serioze dhe konsiderohet rreth 6 herë më ngjitëse se gripi.

Llogaritet se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojë komplikime serioze shëndetësore.

Simptomat përfshijnë: temperaturë, rrjedhje të hundës, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe skuqje në fytyrë dhe në gjithë trupin.

Për të ulur rrezikun nga përhapja e fruthit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik.

Kryesisht prek grupmoshat prej 0-12 muajsh, që është edhe periudha kur bëhet vaksinimi me këtë vaksinë, tha për RTK, Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1, Prishtinë.

Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth.

IKSHPK rikujton se çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar./RTK