“Pyetje banale”, “pse bëhet kjo pyetje?”, Bislimi shfryhet me gazetarët

Besnik Bislimi i ka cilësuar “banale” dhe të “palogjikshme” disa pyetje të gazetarëve lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë dhe datën e mundshme të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka realizuar sot një nga paraqitjet më arrogante të një zyrtari qeveritar në Qeverinë Kurti, derisa ka kritikuar gazetarët për pyetjet në një paraqitje para mediave në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas raportimit në Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

“Unë mendoj se niveli i seriozitetit tuaj duhet të jetë përtej këtyre pyetjeve banale”, i është përgjigjur zv/kryeministri Bislimi, një pyetje të gazetarëve rreth rrezikut të moszbatimit të Marrëveshjes për Energinë, të cilën e kanë vënë në dyshim veprimet e kompanisë serbe të veriut, Elektrosever.

Jo vetëm këtë pyetje e ka konsideruar banale zëvendësi i kryeministrit Albin Kurti. Ai e ka quajtur “të palogjikshme” një pyetje të gazetarëve rreth një date potenciale të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.

”Unë mendoj që jemi lodhë me data në të kaluarën. Nuk e di pse bëhet kjo pyetje për data. Qytetarët ju intereson me u liberalizu vizat, jo me spekulu. Nuk e marrim ne vendimin, vendimin e merr Bashkimi Evropian. Është e palogjikshme që të pyetemi ne për data, ashtu siç ka qenë e palogjikshme ata në të kaluarën dhe ju ka dhënë data, kanë krijuar narrativë të gabueshme”, ka deklaruar Bislimi, para se të largohej.