Isa Mustafa për deklaratën e Ambasadorit Kosnett rreth Asociacionit

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, ka komentuar deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Kosova e ka detyrim që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Mustafa ka thënë se Asociacioni është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013, e ratifikuar me Ligj me votat e 2/3 të deputetëve, atëkohë, si Marrëveshje Ndërkombëtare.

Tutje, ish-kryeministri u shpreh se edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e saj, ka konstatuar se kjo Marrëveshje e vitit 2013, duhet të zbatohet.

“Është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 e ratifikuar me Ligj me votat e mbi 2/3 të deputetëve si Marrëveshje Ndërkombëtare. Edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykim, ka konstatuar se kjo Marrëveshje ( e vitit 2013) duhet të zbatohet”, deklaroi Mustafa për Reporterin.

Mes tjerash, Mustafa theksoi se Qeveria Kurti ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së parë, ku sipas tij, parashihet themelimi i Zajednicës së Vetëvendosjes (kur ishte në opozitë) dhe tani të Asociacionit (kur është në pushtet), apo ta implementojë atë.