Çfarë pas pranimit të propozimit të BE-së?

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.

“Jam i sigurt se Mirosllav Lajçak do të vazhdojë diplomacinë fluturuese dhe para takimit të Këshillit Evropian – në mes të marsit dhe në fund të marsit – ne të mund të finalizojmë të gjithë punën”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit Kurti-Vuçiq.

Ai tha se Kurti dhe Vuçiq e pranuan propozimin evropian dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme.

“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes”, tha Borrell dhe shtoi se “negociata të mëtejme ende duhet të bëhen për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit e dispozitave të marrëveshjes”, transmeton rel.