Ekskluzive: Çfarë u pyet në Hagë komandant Adem Shehu

Prokurorët specialë të Hagës, pas ngritjes të aktakuzës ndaj kupolës drejtuese të shtabit të UÇK-së, kanë nisur mbledhjen e dëshmive për të faktuar pretendimin se ata vepruan si një grup i strukturuar kriminal.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mundur të mësojë detajet e intervistimit dy ditor në Hagë të ish-ushtarakut Adem Shehu, i pari shtetas i Shqipërisë.

Burime nga Haga në dijeni të këtij intervistimi, që ka zgjatur në total 12 orë, tregojnë se Adem Shehu fillimisht është pyetur:

Si ai mundi të merrte në dorë drejtimin e Brigadës 153 të zonës së Llapit?

Adem Shehu i cili gjatë luftës njihej me preseudonimin “Komandant Buna 20” është pyetur në cilësinë e dëshmitarit për dy episode gjatë luftës, që lidhen me rrëmbim personi, ushtrim dhune, fyerje, keq- trajtime fizike deri në eliminime fizike.

Këto burime i thanë Top Channel se prokurorët e Hagës, në mënyrë specifike kërkonin të dinin nga Adem Shehu:

Çfarë informacione ai kishte në lidhje me “Repartin BIA”, që komandohej nga Sali Mustafa, i njohur me pseudonimin komandant Cali?

Sali Musta ishte drejtuesi i parë i UÇK-së i cili u ndalua dhe u çua në Hagë fund-vitin e shkuar.

Prokurorët gjithashtu i kanë drejtuar pyetje komandant Adem Shehut:

Si drejtohej komanda e zonës operative të Karadakut nën komandën e Ahmet Isufit?

Interesi i prokurorëve thonë burimet e Top Channel, lidhej më së shumti tek urdhrat e dhënë nga Sali Mustafa dhe Ahmet Isufi për ata ushtarë të UÇK-së që thyenin disiplinën, si ata ndëshkoheshin dhe çfarë ndodhte më pas.

Intervistimi i regjistruar audio-video i Adem Shehut në Hagë ka vijuar me pyetje që lidheshin me vend komandat që operonin në rajonin e Gollakut.

Prokurorët kanë kërkuar nga “Komandant Buna 20” të dinë:

Detajet se kë stërviti dhe çfarë njohurish ushtarake u dha personave që do të shkonin në luftë, kur ai në Farkë ndërtoi një akademi ushtarake për të rinjtë që vinin nga Evropa për t’iu bashkuar formacioneve ushtarake të UÇK-së.

Prokurorët i kanë vendosur mbi tavolinë Adem Shehut disa dokumente të cilat ishin urdhra operacional që mbanin firmën e tij kur drejtonte Brigadën 153.

Referuar detajeve të botuar në një libër në Kosovë, prokurorët kishin ndërtuar disa pyetje për Adem Shehun që lidheshin me bllokimin e aksit rrugor Leskofs-Mutivodë-Prishtë, gjë e cila ndaloi përparimin e forcave serbe në Kosovë.

Edhe pas marrëveshjes së Kumanovës, Shtabi i Ushtrisë Serbe vendosi mos përdorimin e kësaj rruge.

Gjatë seancave pyetje-përgjigje, dy ditore në Hagë, Adem Shehu në asnjë moment nuk u pyet për krimet serbe përfshi djegien e grave dhe fëmijëve me Nepalm në zonën operative të Gollakut ku ai operonte.

Prokurorët e Hagës kanë mbledhur një dokumentacion voluminoz me urdhrat e shtabit të UÇK-së, nga shumë burime mes tyre individë dhe subjekte politike në Kosovë.

Gjatë luftës në Kosovë, rreth 200 oficerë të ushtrisë shqiptare iu bashkuan UÇK-së duke dhënë kontributin e tyre në këtë luftë çlirimtare.