“Përpara krejt puntë janë ba me dorë“

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Zahide Shala Shallti (01.01.1920) është njëra nga këto personazhe.

Ajo thotë: “Tash asht knaqsi me punue edhe me jetue, tash teknika e ka ba t’veten, po punojnë maqinat për neve. Përpara krejt puntë janë ba me dorë“.

U lind më 01.01.1920 në Ponesh, tani jeton me familjen e saj në fshatin Devajë.

Nënëlokja Zahide ishte shumë mirë nga ana shendetesore dhe na tregoi për të kaluarën e saj për vështirësitë që i kishte kalar në jetë.

Biseda me të ishte shumë e këndshme. Ishte shumë e lumtur që kishte arritur të përjetojë edhe gjeneratën e pestë në familjen e saj nga ana e vajës së saj.

Tregon: “Pernime jeta e jonë përpara ishte e vështirë, po nashtë se tash në pleqni po kaloj mirë, po kujdesen shum mirë për mue dhe jam e lumtun shum. I kam harrue krejt hekat e ktyniherit”.

Porosia e saj ishte: “Duhet me punue shum, puna asht farz (detyrim), tash asht knaqsi me punue edhe me jetue, tash teknika e ka ba t’veten, po punojnë maqinat për neve.

Përpara krejt puntë janë ba me dorë. N’kohën tonë me t’zanë dilli në shtrat s’ka ba vaki lokes. Kena punue shum, sa puntë e shpisë sa puntë n’ara, n’tokë, jo gjaja, jo fmija, edhe musafirë ka pasë shum ktyniherë, sidomos dimnit kur vishin ka ni javë krejt katuni nejshin bashkë. U kanë shum razillak, njerzit janë dashtë ma shum po më doket mue nashta”. (Devajë, 28 Nentor 2017)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.