Abdixhiku: Shqipëria 950 euro pagën për mësuesit, kryepopulisti ynë i zënë me Maqedoninë e Veriut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili po merret me zgjedhje në Maqedoni të Veriut.
Ai ka bërë me dije se Kosova nuk mund të krahasohet me vendet fqinje.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri i Kosovës po merret me zgjedhjet ndër-shqiptare në Maqedoni të Veriut.
“Shqipëria drejt pagës 950 euro për mësues! Po, plot 950 euro për mësues! Gjersa kryepopullisti ynë është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni, edhe krahasimi me vendet fqinje ka nisë të mos ketë më kuptim”, ka shkruar ai.
I pari i LDK-së ka theksuar se rruga më e mirë për Kosova është platforma politike e LDK-së.
“Është në vitin e katërt të Qeverisë. Do të ketë menaxhuar plot 12 miliardë euro për këto katër vjet; më shumë se secili njeri në histori të vendit; dhe prap asnjë shenjë! Propagandë, fjalë të thata e përçarje urrejtëse – ky është diskursi politik sot!l Kohë për të humbur nuk kemi! ‘Rruga e Re’ është zgjidhja. Me Rrugën e Re dhe Rrogat e Reja. 23% më shumë se sot!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se me “Rrugën e re” të LDK-së zyrtarët publikë do të kenë edhe paga të reja.
Në tabelën që ka postuar, Abdixhiku ka treguar se me qeverisjen e LDK-së paga e mësuesit do të jetë 756 euro, paga e mjekut 1 mijë euro, paga e policit 675 euro, paga e ushtarit 756 euro, kurse paga e zjarrfikësit do të jetë 675 euro.
Matjet e fundit tregojnë se LDK-ja po prinë në rajonin e Dukagjinit
Në një interviste për gazetën Nacionale, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shprehur optimist për zgjedhjet e ardhshme.
Ai ka publikuar matjen e fundit, e cila flet për përkrahjen e partive politike në rajonin e Dukagjinit.
Numri një i LDK-së ka bërë me dije se rezultati i një ankete të porositur nga LDK-ja tregon se kjo parti gëzon përkrahjen më të madhe të qytetarëve për zgjedhjet nacionale.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Abdixhiku ka thënë se përkrahje e qytetarëve në këtë rajon për LDK-në është 39 – 40 për qind.
“Sapo na erdhën të dhënët prej rajonit të Dukagjinit, ku LDK-ja prinë me rreth 39-40 për qind në zgjedhje nacionale. Po flasë për Komunën e Pejës, Komunën e Istogut, Komunën e Deçanit, Klinës dhe Junikut. Pra, për rajonin 03”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka treguar se anketa në fjalë është kërkuar nga LDK-ja.
“Me dy mijë të anketuar, në një anketë të sapo përfunduar, e kërkuar nga LDK-ja. Nuk po flas për kryetarin e komunës së Pejës, i cili arrin rreth 65-66 për qind. Po flas për zgjedhjet nacionale për parti. Po flas për matje që ne i bëjmë vazhdimisht. Këto matje unë nuk i përdori për propagandë, unë e mbledh partinë. Në këtë vend që po e bëjmë intervistën, unë kam pasur 40 anëtarë të partisë, ku i kemi prezantuar të dhënat për secilën lagje, për secilin lokalitet dhe për secilin qytet”, është shprehur ai.
Ai e ka kundërshtuar sondazhin e fundit të UBO Consulting, i cili Lëvizjen a Vetëvendosje e nxjerr bindshëm si parti të parë.
Sondazhi në fjalë, sipas tij, ka qenë propagandë.
Abdixhiku është shprehu i bindur se ky sondazh ka pasur për qëllim dekurajimin e elektoratit të LDK-së.
“Ka matje që bëhen për propagandë dhe ka matje që bëhen për të kuptuar të vërtetën. Ne e dimë lojën e matjes së propagandës. Pra, ka matje për të dekurajuar kundërshtarin, ose ka matje që bëhen për të inkurajuar bazën. Matjet për të cilat po flisni janë me pasaktësinë më të madhe të mundshme. Në zgjedhjet e fundit lokale, po të njëjtat matje na kishin vendosur në kryeqytet në vend të tretë. Dhe atë një natë para zgjedhjeve, kur ne nuk mund të bënin as reagim dhe as nuk mund të bindnim anëtarësinë. Ishte një lojë politike, një propagandë për të dekurajuar votuesin”, është shprehur Abdixhiku.
Abdixhiku vlerëson se partia që drejton e kupton mirë propagandën.
“Matjet tona nuk janë mjet i propagandës, por e kuptojmë propagandën, sepse jemi subjekt i kësaj propagande dhe është bërë për të dekurajuar rritjen e LDK-së”, është shprehur ai.

