Rasti i “dajës me nipin”, Gjykata i cakton masën e paraburgimit të pandehurit A.N.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.N për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasje në tentativë’.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.N dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marr për bazë peshën e veprës penale si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.N, e kishte ftuar viktimën në banesën e tij në Fushë Kosovë dhe nga i njëjti kishte kërkuar që të konsumoj substanca narkotike dhe të ketë marrëdhënie seksuale dhe pasi viktima kishte refuzuar, i pandehuri e kishte sulmuar me thikë në kokë duke i shkaktuar plagë shpuese dhe prerëse, thuhet në njoftim.