E la qytetin e bukur të Prizrenit për t’iu shërbyer qytetarëve të Gjilanit

Ishin fillimet e ’70-ta dhe mungesa e punëtorëve shëndetësorë ndihej në gjithë Kosovën.

Rami Veliu e donte shumë qytetin e bukur të Prizrenit, por profesioni që kishte zgjedhur e ‘detyroi’ të ndahet prej tij dhe të vinte në Gjilan për t’iu shërbyer qytetarëve të Anamoravës.

Ramiu apo si e quanin në Gjilan, Ramili, në vitin 1974, për herë të parë vendoset në fshatin Cernicë të Gjilanit, ku punoi si infermier.

Aty ishte shumë i respektuar nga fshatarët për punën që bënte.

Shumë fëmijë në fshat janë shpëtuar nga pandemitë e ndryshme falë mjekimit të Ramiut, në mungesë të vaksinimit.

Më tutje, ai iu shërbeu edhe qytetarëve të Gjilanit, mbi gjysmë shekulli.

Për sukseset e arritura në punë, mbas disa vitesh emërohet Kryeinfermier i Shtëpisë së Shëndetit në Gjilan, ku qëndroi mbi 30 vite.

Ishte dekoruar disa herë nga Komuna e Gjilanit, nga Kryqi i Kuq i Kosovës si dhe dy herë me Medaljen Presidenciale.

Ramiu ishte një ndër nxënësit e parë të shkollës së mesme të mjekësisë në Prizren dhe më i dalluari në shkollë.

Ndërroi jetë në moshën 70-vjeçe, duke lënë mbas vete 3 fëmijë shembullorë, Valdeten Artanin dhe Ismajlin. /Mediafokus.info