Përqafimi i lirisë
Sabedin Sherifi
Në ditën që liria trokiti në prag,
me pushkën në dorë dhe zemrën plot plagë,
ai ushtar me sy të lodhur nga nata,
mbante fitoren — në krah, një fëmijë, jeta.
Në ballë i ndriçonte drita e lirisë,
buzëqeshja fëmijës si dhuratë e shenjtë,
në krahët e tij, historia fliste heshtur,
me gjak u shkrua, pa vdekur shpresa kurrë.
Pushka s’e trembi fëmijën e vogël,
se ai e ndiente: liria s’vjen kot,
është duar burrash, ëndrra e brezave,
është shikimi i nënave, lotët e plagëve.
Dhe kështu u kthye në rrugët e qytetit,
me aromë baroti, por pa frikë në hap,
se tashmë kjo tokë e gurtë dhe e shenjtë
kishte birin e saj, trim mbi të gjitha.
— Për çdo ushtar që jetën e dha,
liria flet me zë fëmije që thërret: *”Faleminderit, babë, Kosova u çlirua!”*

