Thaçi: Shteti ynë nuk duhet të lejojë të vetëzhvlerësohet, me ide të vjetra nuk mund të ndërtohen rrethana të reja
sh-Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Adriatik Kelmendin, në Rubikon. Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për fatin e tij personal si dhe mënyrën se si po e menaxhon kohën në paraburgim por edhe për politikën.
Më poshtë gjeni disa nga pjesët kryesore mbi zhvillimet politike në Kosovë
Banjska? “Si ndodhi të shfaqen mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të Kosovës? Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në pikë të ditës sikur të ishin ‘krushq të lirisë’ e jo atakues të lirisë dhe shtetit?”
Duhet reflektuar pse edhe pas sulmit në Banjskë, Kosova u qortua nga ndërkombëtarët në rrafshin diplomatik dhe medial. Kritikat dhe presioni ndaj Beogradit ishte tepër elegantë. Edhe pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepenc, përsëri fare lehtësisht në mediat ndërkombëtare dhe qendrat vendosëse ngritën dilemën a ishte akt sabotazhi nga Serbia, apo veprim elektoral lokal. Askush nuk mund t`i fuste në lajthitje mekanizmat ndërkombëtarë. Ata e kontrollojnë edhe tokën edhe qiellin e Kosovës. Kosova duhet të bashkëpunojë dhe jo ta befasojë NATO-n dhe SHBA-të. Nuk është e rastësishme që këto ngjarje ndodhën pikërisht kur Kosova ishte në nivelin më të ulët të bashkëpunimit me Perëndimin. Do duhej të ngritet çështja për debat publik, analizë dhe përgjegjësi shtetërore. Pse pikërisht tani u guxua të ndodhin gjëra të tilla? Për 24 vite Kosova nuk ishte ballafaquar me fenomene të tilla.
Kosova kishte në dorë edhe shkopin edhe karotën, si ndodhi të shfaqen mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të Kosovës? Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në pikë të ditës sikur të ishin “krushq të lirisë” e jo atakues të lirisë dhe shtetit? Si erdhi deri te kjo ngjarje, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë bashkërisht me ndërkombëtarët në një proces transparent mund ta zbardhë të vërtetën. Kosovës e vërteta i duhet më shumë në raport me ndërkombëtarët, sesa për ta kënaqur opinionin publik lokal.
“Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit… (Zyrtarët e Trump) nuk veprojnë pa i vënë dikush në lëvizje… duhet koordinim Prishtinë-Tiranë”
Adriatik Kelmendi: Nga distanca që keni, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, para së gjithash me SHBA-në dhe BE-në?
Hashim Thaçi: Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit. Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për Kosovën.
Rikthimi i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim mes popujve.
Të rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell.
Presidenti Trump e njeh Kosovën, në takimet gjatë mandatit të parë presidencial më ka thënë “Kosova është një vend i mrekullueshëm me popull të shkëlqyer”. Edhe mesazhi i fundit drejtuar popullit të Kosovës me 17 shkurt të këtij viti nga Trump ishte shumë inkurajues. Disa prej zyrtarëve të lartë aktualë në Uashington janë të involvuar për kohë të gjatë me çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ata nuk veprojnë pa i vënë dikush në lëvizje. Në këtë drejtim do të ishte me interes të ndodhte një koordinim mes Prishtinës dhe Tiranës. Shqipëria po tregohet më efektive.
Sot, bota e trajton Serbinë ndryshe nga koha e konflikteve të ish-Jugosllavisë. Uashingtoni, Brukseli dhe vendet tjera nuk e shohin Beogradin me optikën apo disponimin e Prishtinës dhe e kundërta. Perëndimi sot e shikon Serbinë në nuanca më të theksuara mundësie, përqendrimi dhe investimi ekonomik e ka më pak simpati për të kaluarën viktimizuese të Kosovës. Është më mirë një Serbi në Evropë dhe NATO, por jo pa e njohur Kosovën, kjo do të nënkuptonte më pak ndikim të Rusisë dhe Kinës në Ballkan. I kemi përjetuar baticat dhe zbaticat e sjelljes së Serbisë në raport me shqiptarët në tërësi apo edhe fqinjët e tyre kroatë, boshnjakë, malazez apo edhe me komunitetet etnike brenda Serbisë.
Mungesa e Rusisë rreth katër vite në tavolinat e qendrave vendimmarrëse botërore, ishte mundësi e pashfrytëzuar nga Kosova. Fatkeqësisht, ora për Kosovën në këtë pikë dita-ditës po ikën. Më herët në çdo rast që është kërkuar nga pala kosovare prezenca e drejtpërdrejt e SHBA-ve në tavolinën e negociatave në Bruksel, Serbia kërkonte këmbëngulësish si balancë prezencën e Rusisë. Kjo ishte e papranueshme për ne dhe partnerët tanë.
Kjo ndodhi, qëkur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së viti 2011, Bashkimi Evropian u ngarkua me rolin e lehtësuesit të negociatave, (si produkt Marrëveshja 2013-2015 në Bruksel, si dhe së fundi deklarata apo marrëveshja shtesë e Ohrit).
Ndërkohë bota është polarizuar si kurrë më parë. Duke shpresuar se Trump i ndihmuar edhe nga evropianët do arrijë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, Lindjen e Mesme dhe vëjë në binarë edhe Iranin.
Rusia kurrë nuk ka qenë inkurajuese për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi e as për integrimin e serbëve në institucionet kosovare. Por, për fat të mirë integrimi ndodhi me sukses të vlerësuar për një dekadë të plotë 2013-2022.
Nga shkurti 2022, SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO dhe aleatët e tyre nuk e kishin nëpër këmbë Rusinë. E dinin çka mendon dhe si vepron për Kosovën. Perëndimi nuk lejonin të bien në lajthitje nga Putin. Por, bota sot nuk është as për së afërmi e bashkuar për Kosovën, sikurse që ishte deri para pak vitesh. Kjo është një e vërtetë e hidhur.
Të kërkohet njohja e Kosovës nga Ukraina dhe Siria
Është tragjike ajo që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë. Solidariteti i kosovarëve me kauzën ukrainase është i drejtë. Por, Kosova është rast unikat në historinë diplomatike, humanitare dhe ushtarake botërore. Zyrtarët e Kosovës duhet të kërkojnë nga Zelenski njohjen e Kosovës, e di se nuk është e lehtë tani për tani… do të ishte e shëndetshme për zyrtarët ukraianas që të mësohen me të drejtën kosovare. E pse jo edhe nga autoritet e reja të Sirisë. Një kohë diku kah vera e vitit 2008, Asadi kishte deklaruar nuk mund ta njohin Kosovën sepse hidhërohet Rusia. Tani gjërat kanë ndryshuar krejtësisht; kemi autoritete të reja në Damask, Rusia nuk ka çka hidhërohet, sepse Asad është larguar edhe vetë nga Siria, influenca e Iranit e rrëzuar. SHBA-të, BE-ja, Turqia dhe Izraeli do ta mirëprisnin një vendimi pozitiv për Kosovën. Lehtësimi i takimit nga president Erdogan në Antalya në muajin prill mes presidentëve të Kosovës dhe Sirisë ishte veprim shumë i qëlluar.
Për një dekadë të tërë ishte temë tabu edhe njohja nga Izraeli; bile isha këshilluar edhe nga dy administrata amerikane Obama-Biden një dhe dy që të mos i “ngushtoja” zyrtarët e Tel-Avivit për çështjen e njohjes së Kosovës, me arsyetimin “e kanë barrë Palestinën”. Nga ana tjetër autoritet palestineze vend e pa vend çdo rast që u jepej deklaroheshin agresivisht kundër pavarësisë së Kosovës. Ishte krijuar rrethanë paradoksale.
Trump ishte ai që theu këtë tabu. Por nga ai moment çështja e njohjeve të reja ngriu.
Duhet qartësuar as në rrafshin faktik e as në atë gjeostrategjik, Kosova nuk është Ukrainë as Serbia nuk trajtohet nga bota si Rusi. Të krahasosh Kosovën me Ukrainën është qesharake, ndërkohë që Serbia është vendi nga rajoni që më së shumti e furnizoi me logjistikë luftarake Ukrainën. Kjo çështje për Serbinë nuk ishte vetëm komerciale, por ishte strategjike me dijeninë – lejen perëndimore, prandaj nuk është edhe befasi tolerimi i mosvënies së sanksioneve nga Serbia kundër Rusisë.
Nga konflikti Rusi – Ukrainë, Rusia u sanksionua nga Perëndimi.
Nga ngërçi në dialogun e Brukselit, masa ndëshkuese u nxorën kundër Kosovës e jo Serbisë.
Ne retrospektivë, Rambuje 1999 dhe Vjenë 2005-08, ndodhi e kundërta.
Kujto këtu edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrik 2010.
Kosova u tregua e përgjegjshme, ishte në anën e drejtë të historisë, u vlerësua dhe trajtua meritueshëm nga Perëndimi.
Unë besoj, mirënjohja e popullit të Kosovës për Perëndimin është e rrënjosur thellë dhe e përjetshme, mosmirënjohja do të ishte e meta më e madhe morale me pasoja për shtetin.
“Nuk do të çuditesha… që Brukseli për Serbinë, ta përvijojë në mënyrë elegante standardin apo kushtin për njohjen e Kosovës si parakusht për anëtarësimin në Bashkim Evropian”
Bashkimi Evropian do të jetë i hapur për palët, vetëm me sjellje dhe veprime evropiane e jo pickuese ballkanase. Kjo do të ishte rruga normale. Por, nuk do të çuditesha dhe befasohesha me trendin e zhvillimeve aktuale, që Brukseli për Serbinë, ta përvijojë në mënyrë elegante standardin apo kushtin për njohjen e Kosovës si parakusht për anëtarësimin në Bashkim Evropian. Brukseli do duhej gjejë rrugën më të shpejtë dhe efikase të evropianizimit të gjithë Evropës.
Znj. Kallas i kupton këto gjëra shumë mirë, varet sa do të ketë përkrahje nga shtetet anëtare të BE-së si përcaktuese të orientimit dhe dinamikës së politikave zgjeruese të BE-së.
Duket qartë që edhe ndryshimet presidenciale në SHBA e gjetën Serbinë më të përgatitur sesa Kosovën.
Dikush në Prishtinë do duhej të mendojë racionalisht dhe strategjikisht për këtë.
Janë të pajustifikueshme të ndodhin sanksionet e Brukselit, kjo ka sjellë një ambient të gjithanshëm negativ në raport me Kosovën.
“Është jetik për shtetin e Kosovës rikthimi i serbëve në institucionet lokale, qeveri, parlament, polici, sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim etj.”
Është jetik për shtetin e Kosovës rikthimi i serbëve në institucionet lokale, qeveri, parlament, polici, sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim etj. Vetëm integrimi i tyre nënkupton sukses për Kosovën, gjithçka tjetër do të ishte dështim i brendshëm me pasoja për integrimet euroatlantike.
Zëvendësimi i integrimit me çfarëdo mekanizmi autonom nuk do të jetë as më shumë e as më pak sesa një “Republika Serbska”. Rintegrimi i serbëve është edhe obligim kushtetues, ligjor dhe qytetar. Tash po afrohen zgjedhjet lokale institucionet e Kosovës shpresoj të bëjnë çmos për një dialog me komunitetin e serbëve për inkurajimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje. Ata duhet të udhëhiqen nga njerëzit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Kur ende duket se janë në veprim të përbashkët përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së, Anglisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë do duhej të ndodhte progresi.
Një angazhim kaq dinamik i faktorëve ndërkombëtar ndodhë rrallë për ndonjë vend apo rajon. Është mundësi unike, ndoshta në të ardhmen edhe mund të lëkundet.
“Politika kosovare nuk duhet të jetë përpëlitëse. Shteti ynë nuk duhet të lejojë të vetëzhvlerësohet… Me ide të vjetra nuk mund të ndërtohen rrethana të reja”
Vetmia eventuale për një shtet apo shoqëri qoftë edhe e përkohshme përcillet me pasoja, është e rrezikshme.
Politika kosovare nuk duhet të jetë përpëlitëse. Shteti ynë nuk duhet të lejojë të vetëzhvlerësohet.
Duhet të vazhdojnë rrugëtimin e tri dekadave të fundit atë të rikthimit dhe ringritjes së identitetit tonë me qytetërimin perëndimor. Edhe mund të ketë mbetur ende erë, mjegull dhe myk i mentalitetit jozhvillimor apo paragjykimit në raport me Perëndimin, megjithatë gjërat do duhej të kthjellen më shpejt. Me ide të vjetra nuk mund të ndërtohen rrethana të reja.
Jam fundamentalisht optimist për të sotmen dhe të ardhmen. Shpresa më ka përjellur gjithë fazat e jetës sime, nuk më ka braktisur as sot, në veçanti për një të burgosur nuk venitet kurrë. E keqja e përjetuar deri në fund të shek. të kaluar për qytetarët e Kosovës do të mbetet në kujtesë historike.
Jam i bindur, kohët e mira për Kosovën janë para.

