Kur padrejtësia zgjon vendosmëri
Dr Elez Elezi
Njeriu është një qenie sociale dhe një nga instinktet më të hershme e më të forta është ndjenja për drejtësi.
Kur shohim padrejtësi, qoftë ndaj vetes apo ndaj të tjerëve, reagimi shpesh është i menjëhershëm dhe instinktiv.
Nuk është gjithmonë analiza e ftohtë ajo që na drejton; ndjenja e padrejtësisë është e thellë dhe njerëzore, dhe shpesh nuk lejon neutralitet.
Kur dikush sulmohet me akuza të pabazuara ose me etiketime të rënda, reagimi i njerëzve është i njëjtë, pavarësisht kush është në shënjestër.
Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një politikan, një drejtues shoqëror apo një figurë tjetër publike.
Kur padrejtësia është e dukshme, ajo zgjon një reagim të brendshëm mbrojtës. Instinkti është të mbrohen vlerat dhe ndjenja e drejtësisë.
Sa më shumë që dikush përpiqet të frikësojë apo të manipulojë, aq më shumë forcohet vendosmëria.
Kjo është arsyeja pse një retorikë e ashpër dhe përjashtuese, e ndërtuar mbi etiketime si “tradhtar” “serbia”apo akuza pa bazë, shpesh prodhon efekt të kundërt. (Backfire efekt)
Ajo mund të forcojë skajet ekstreme, të cilat tashmë janë të bindura dhe ushqehen me gjuhë të fortë, por njëkohësisht e dobëson qendrën.
Pikërisht aty ndodhen njerëzit e zakonshëm, shpesh indiferentë ose të pavendosur, të cilët përballë padrejtësisë nuk qëndrojnë më anash.
Ata marrin anë, jo nga ideologjia, por nga reagimi moral.
Ky mekanizëm lidhet ngushtë edhe me atë që në psikologji quhet reaktancë psikologjike.
Është ndjenja e brendshme që zgjohet kur njeriu e kupton se dikush po përpiqet ta frikësojë, ta shtypë ose ta manipulojë mendimin e tij.
Në ato momente, në vend që të bindet, njeriu reagon në drejtim të kundërt.
Sa më shumë ushtrohet presion përmes akuzave të pabazuara dhe gjuhës përjashtuese, aq më e fortë bëhet nevoja për të mbrojtur autonominë, bindjet dhe ndjenjën e drejtësisë.
Ky instinkt nuk kufizohet vetëm te politika. Ai shfaqet në çdo pjesë të jetës.
Në familje, kur një fëmijë sheh që vëllai ose motra trajtohet padrejtësisht, ndjenja e padrejtësisë e shtyn të reagojë.
Në punë, kur një koleg akuzohet padrejtësisht ose kur dikujt i mohohet merita, reagimi lind menjëherë.
Në komunitet, kur një person trajtohet në mënyrë të pabarabartë, shumëkush ndien nevojën të ndërhyjë dhe të mos lejojë padrejtësinë të kalojë pa reagim.
Ky reagim shfaqet edhe në situata kolektive, si sporti, aktivitetet komunitare apo iniciativat shoqërore.
Kur një ekip ose një grup sulmohet pa arsye, ndjenja e drejtësisë zgjon solidaritet dhe vendosmëri.
Nuk është urrejtja ajo që e shtyn njeriun, por një ndjenjë instinktive për barazi dhe drejtësi.
Edhe në jetën publike, akuza të paqena dhe retorika përjashtuese nuk bindin, por zgjojnë rezistencë.
Ato nuk i fikin njerëzit, por i bëjnë më të vetëdijshëm dhe më të vendosur për të mos u manipuluar.
Ndjenja e drejtësisë dhe vendosmëria që lind nga padrejtësia nuk janë emocione kalimtare.
Ato janë themeli i solidaritetit njerëzor dhe kanë shtyrë përpara lëvizje për të drejtat e njeriut, reforma shoqërore dhe mbrojtjen e të dobëtëve.
Shpesh, ndryshimet më të mëdha nuk kanë ardhur nga pushteti, por nga njerëz të zakonshëm që nuk kanë pranuar padrejtësinë.
