Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në QKN e Prishtinës, përfundon sot

Në Qendren Komunale të Numërimit në Prishtinë, sot pritet të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, pas procesit zgjedhor të mbajtur më 28 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se paralelisht po përmbyllet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, ndërsa shumica dërrmuese e vendvotimeve tashmë janë procesuar në platformën zyrtare të KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se gjatë ditës së sotme pritet finalizimi i këtij procesi në QKN të Prishtinës.

“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 3 janar 2026), në QKN të Prishtinës pritet të përfundojë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë”, tha ai.

Elezi bëri të ditur se deri në orët e paradites është procesuar pothuajse i gjithë numri i vendvotimeve.

“Deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në platformën për rezultate të KQZ-së janë procesuar 2,536 nga 2,557 vendvotime apo 99.18% e vendvotimeve, në të cilat u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor”, tha ai.

Sipas tij, procesi i numërimit në QKN ka përfunduar tashmë në shumicën e komunave të vendit.