Studentët e dhjetësheve, një brez që la gjurmë në mjekësi dhe shkencë

Dr Elez Elezi

Prof. dr. Ymer Elezi, prof. dr. Ismail Dreshaj dhe prof. Dr Ilmi Dauti përfaqësojnë një brez të veçantë studentësh të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, një brez që nuk u dallua vetëm për nota maksimale, por për kulturën e punës, disiplinën dhe dashurinë e rrallë për dijen.

Kur u regjistrova si student i vitit të parë, ata ishin studentë të vitit të katërt. Në atë kohë banoja në mënyrë “ilegale”, siç quhej atëherë, në konviktin nr. 2.

Aty, në ato korridore të ftohta, por plot jetë studentore, dalloheshin qartë studentët më të mirë të fakultetit, të njohur nga të gjithë si “studentët e dhjetësheve”.

Mes tyre, pa asnjë dilemë, spikatnin Ymer Elezi dhe Ismail Dreshaj.

Modeli i përkushtimit

Me Ymer Elezin banoja në të njëjtën dhomë. Përveç lidhjes familjare, për mua ai ishte një shembull i gjallë se si duhet dashur studimi.

Punonte pa u ankuar, pa zhurmë, me një përkushtim që të linte mbresë. Studimi për të nuk ishte garë për notë, por respekt për profesionin që po e ndërtonte.

Gara e dritave – një kujtim që mbeti

Ymeri dhe Ismaili kishin krijuar mes vete një garë të veçantë, të heshtur, por shumë domethënëse.

Nuk kishte fjalë të mëdha, as mburrje. Gara e tyre ishte drita. Drita e ndezur në dhomën e tjetrit.

Shpeshherë, vonë natën, shikonin nga dritarja: Ende i ka dritat ndezur…”

Dhe kjo mjaftonte.

Të nesërmen, pa zë të lartë, pa ironi, vetëm me buzëqeshje, ia thonin njëri-tjetrit:

“Deri sa ke nejt mbramë?”

Ose: “Paska qenë drita jote ndezur gjatë.”

Ishte një garë e pastër, e ndershme, plot pasion për dijen. Një garë që nuk i largonte, por i afronte edhe më shumë. Për mua, si student i ri, ajo “garë e dritave” ishte një mësim më vete.

Mundoja t’i përcillja, të rrija zgjuar deri në orët e vona, ndonjëherë deri në dy apo tre të mëngjesit, por ata kishin gjithmonë edhe një hap më shumë përpara.

Kjo garë ka mbetur thellë në kujtesën time. Sot, pas kaq vitesh, sa herë e kujtoj, më zgjon nostalgji dhe respekt, sepse ishte garë që lindte nga dashuria për dijen, jo nga egoja.

“Treshi oscilator”

Në këtë dyshim shembullor u bashkua edh prof. Dr Ilmi Dauti, i cili i ndiqte me përkushtim dhe shpesh e përmblidhte frymën e tyre me shprehjen që më vonë u bë e njohur në fakultet: “Ne jemi treshi oscilator.”

Kjo frazë u kthye në simbol të përkushtimit akademik dhe të një brezi që e ngriti standardin e studimit.

Rrugët profesionale dhe shkencore

Të tre e përfunduan Fakultetin e Mjekësisë në afat rekord dhe me nota maksimale, duke ndërtuar më pas karriera të suksesshme shkencore dhe akademike.

Prof. dr. Ymer Elezi u specializua në nefrologji, u bë profesor universitar dhe kontribuoi me punime shkencore të botuara në revista ndërkombëtare, duke dhënë kontribut të çmuar në studimin e sëmundjeve renale.

Prof. dr. Ismail Dreshaj, fillimisht bashkëpunëtor i prof. dr. Musa Haxhiut, vazhdoi rrugën e shkencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe sot merret me punë kërkimore-shkencore.

Prof. Dr Ilmi Dauti, i cili doktoroi në vitin 1980 në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, si i pari në gjeneratën e tij, ndërtoi karrierë akademike në Institutin e Anatomisë.

Një trashëgimi që jeton

Për ne që i njohëm nga afër, ata nuk janë vetëm profesorë e shkencëtarë.

Janë kujtim, frymëzim dhe dëshmi se si përkushtimi i heshtur — edhe një dritë e ndezur deri vonë mund të ndërtojë jetë, karriera dhe trashëgimi.