Dietologia: Hani djathë, por kujdes mos e teproni! (VIDEO)  

Ajshe Ibrahimi – dietologe/nutriciste

Në menynë tonë të përditshme bënë pjesë qumështi dhe produktet e qumështit, si kosi dhe djathi.

Djathi është produkt ushqimor i pasur me nutrientë ushqyes nga proteinat, yndyrat, kalciumi, zinku, vitamina B12,vitamina A, riboflavin, fosfori, acidet yndyrore të omega 3 dhe vitamina K.

Në bazë të shumë studimeve, djathi i nxjerrë nga qumështi i kafshëve të cilat ushqehen me ushqim qind për qind bio, na mundëson një shëndet më të mirë të zemrës, parandalon osteoporozën, parandalon prishjen e dhëmbëve, mirëmban muskujt dhe nervat.

Konsumimi i djathit është një ide e mirë për të gjithë individët të cilët kanë intolerancë në laktozë dhe zakonisht këta individë mund të përcaktohen në llojet e djathit zviceran, parmesan dhe djathin e dhisë, sepse sasia e laktozës në këto lloje të djathërave është minimale.

Disa lloje të djathërave përmbajnë sasi të lartë të sodiumit, prandaj të gjithë individët të cilët janë me tension të lartë të gjakut, duhet të kenë kujdes dhe të përcaktohen në llojet e djathit macarella, zviceran dhe djathin e dhisë.

Sasia e rekomanduar e konsumimit të djathit në baza ditore, nuk duhet të kalojë më shumë se 40 gramë.

Nëse e bëjmë krahasimin në mes të llojeve të djathërave, atëherë në mesin e tyre duhet veçuar djathin e dhisë, për arsye se ka vlera të larta ushqyese, tretet më lehtë, ka më pak kalori dhe yndyrë.

Djathi i dhisë posedon fibra të cilat e përshpejtojnë metabolizmin dhe në këtë rast mundësohet shkrirja e depozitave yndyrore në trup.

Është mjaft i rëndësishëm për gratë shtatzëna, sportistët, personat të cilët zhvillojnë aktivitete të ndryshme fizike, sepse mundëson energjinë për lëvizjen e muskujve.

Rekomandohet si zëvendësues i mishit në ushqimet e fëmijëve, sepse përmban magnesium, fosfor dhe kalium.

Vepron si sedativë (qetësues) natyral për shkak të përmbajtjes së triptofanit, stimulon sekretimin e seretonines, hormon i cili ndihmon në përmirësimin e gjendjes shpirtërore.

Djathi, gjithashtu mban në nivel normal glikeminë si dhe kolesterolin në gjak.

Të gjitha këto benifite (përfitime) shëndetësore na sigurojnë që ne mos ta anashkalojmë nga menyja ditore djathin.