Shkuarja e Njaziut në amshim, varfëroi mjedisin tonë shkollor dhe shoqëror

Shkruan: Mehmetali Rexhepi

IN MEMORIAM: NJAZI HOXHA (1960-2020)

Si duket për mua sot paska qenë njëra nga ditët e pikëlluara…Hapa facebook-un dhe pashë njoftimin mortor për dy kolegë të mijë që iu bashkuan amshimit: Qemajl Jakupi dhe Nijazi Hoxha!… Qemajli profesor i lëndës së Kimisë, ndërsa Nijaziu mësimdhënës i lëndëve Juridike në SHME “Marin Barleti” në Gjilan.

Me Nijaziun kam punuar gjatë në shkollën e lart-cituar…
Ia kemi ngrënë bukën njëri-tjetrit në familjet tona… Unë isha më i moshuar se Nijaziu, ndaj respekti i Nijaziut ishte i pashmangshëm ndaj meje… Por, jo vetëm për shkak të moshës, edhe për shkaqe tjera… Nijaziu më respektonte e çmonte lart… Në çdo takim, qoftë të rastit, me Nijaziun nuk ngopeshim shkëmbime fjalësh, temash e motivesh të ndryshme… E di, ishte i etur për të biseduar bashkë dhe, sa herë që ka kërkuar të pinim kafe me të nuk jam larguar pa e pirë kafenë…

Ishte gjithnjë i prajshëm, gojë-ëmbël, i qetë, i pa imponueshëm, madje kishte dhe kulturë e njohuri të përgjithshme, pos përgatitjes profesionale për lëndët e Drejtësisë… Një kohë kishte ushtruar punë avokatie, mandej iu shmang avokatisë dhe iu kthye profesionit të ligjërimit në SHME “Marin Barleti”. Ishte i shkathët për përballimin e jetës materiale, kur Serbia e pezulloi fanancimin në gjuhën shqipe, jashtë programeve të imponuara dhe segregative të arsimimit dhe edukimit të shkollarëve tanë të rinj.

Shkuarja e Nijaziut është e hershme dhe, me përvojën e tij arsimore-edukative dhe profilin njerëzor, e varfëroi mjedisin tonë shkollor dhe shoqëror… Ai la pas një familje të edukuar dhe shkollare: qoftë gruan Fikreten, mësimdhënëse e lëndëve të lëmit të Drejtësisë, qoftë dy fëmijë të shkëlqyeshëm, të cilët janë në përfundimin e studimeve në Austri. I ndjeri fliste me krenari për fëmijët e tij, të dalluar në studime…

Nijaziu doli nga një familje arsimdashëse, ngase babai i tij ishte arsimtar i përkushtuar dhe i nderuar… Gjithsesi arsimtari nuk kishte si mos të ushtronte ndikim për kahen edukative të birit dhe bijave të tij… I nderuari shok e mik: Nijazi Hoxha kujtimi Yt bëftë dritë!…