Arianitin duhet ta shpëtojmë nga besimet e tij konspirative

Avni Rudaku

E njoh që moti dhe në raporte ndërnjerëzore, mbetet ndër njerëzit më të respektueshëm. Ka qenë djalosh, i lindur e rritur në qendër të qytetit.

Para shumë vjetësh, hyri në politikën lokale me Partinë e Drejtësisë. Më pas, u nda me ta dhe krijoi një nismë të re politike-lokale dhe humbi. Më pas, punoi si zyrtar për integrime evropiane dhe u largua nga puna.

Me kalimin e kohës, i zhgënjyer nga jeta politike, ndërhyrjet e politikës në punësim etj., kaloi në agroturizëm. Me një vilë në Kufcë dhe merrej me shpezëtari e kultivim bujqësie e blegtorie.

U izolua një kohë të gjatë në fshat, një djalë i rritur në qendër qyteti.

Me kalimin e kohës, doli në emisione televizive.

Nga analizat politike bazuar në studimet e tij të masterit, leximeve, rrëshqiti në teori konspirative, duke ia ndihmuar shumë edhe religjioni.

Emisionet ku thirrej, klikoheshin shumë si shoqëri konspirative që jemi nga mungesa e pasionit për lexim e shkencë, duke fituar mediet nga klikimi, por edhe iu bë vend pune, si i ftuar në emisione televizive.

Duke e parë se konspiracioni klikohet shumë dhe ka ndjekës, u ndikua nga teoritë konspirative në botë, interneti dhe ato që i dija nga konspiracioni botëror, ndjekësit ia atribuonin Arianitit si ide të tij origjinale.

Arianiti krejt ato që i thoshte, i gjente diku tjetër në internet dhe ua servonte ndjekësve shqiptarë.

Me kalimin e kohës, duke pasur vilën rurale, me bujqësi, shpezëtari e bletari, ai pretendonte se po e shëronte astmën.

Më pas, për shkak se antivaksinerët dhe konspiracionistët në krejt botën, besuakan se autizmi vjen nga vaksinimi, rrëshqiti edhe në deluzionin se mund ta rregullonte edhe autizmin.

Prej angazhimit në politikë dhe dështimit aty, në integrime evropiane, dhe prej opinionistit në farmer, konspiracionist, mjek alternativ dhe sot qenka arrestuar.

Të rekomandosh medikamente për ato që nuk je i licensuar, është e rëndë, sepse as farmacisti nuk guxon të ofrojë medikamente pa përshkrimin e mjekut, e lëre më dikush tjetër.

…………..

Unë jam i bindur që Arianiti ka krijuar një deluzion të madhështisë, që është tipike te njerëzit e rënduar emocionalisht dhe të izoluar, të cilët idetë e tyre nuk i testojnë duke komunikuar me të tjerët.

Unë jam i bindur që ideja se je lindur me misionin për ta shpëtuar njerëzimin nga sëmundjet, është deluzion i madhështisë.

Unë jam i bindur që Arianiti i beson ato që i mendon, rekomandon, përveç joshjes që ekziston te njerëzit, për para, profit.

Unë jam i bindur se ka hyrë në konspiracion, që funksionon si komunitet në botë, veçmas në rritje nga interneti dhe izolimi social.

Unë jam i bindur se Arianiti i beson ato që i mendon dhe tipat e tillë janë si të rënit në kulte fetare, duke u ndjerë nevoja për de-radikalizim, e në këtë rast, në dekonspirim.

Konspiracioni zakonisht lind te njerëzit e zhgënjyer nga politika, duke besuar se qeveritë, shkenca dhe mediet, nuk po na thonë të vërtetën. Se industria e armëve dhe barnave janë nxitëse të luftërave dhe kompanitë farmaceutike nuk lejojnë ose vonojnë gjetjen e ilaçeve të lira për shërim.

Arianitin duhet ta shpëtojmë nga besimet e tij konspirative, sepse ai ka rrëshqitur në atë botë, e cila jep përgjigje të thjeshta, për një botë shumë komplekse, ngjashëm me religjionin.

Pse shumica e religjiozëve janë aq konspiracionistë?! Sepse dyjat e ushqejnë njëra-tjetrën. Kur vjen nga shtetet që nuk kanë impakt në rendin botëror dhe jashtë takimeve të liderëve të mëdhenj që vendosin për fatin e dynjasë, natyrisht ti fillon të supozosh e fantazosh në mënyrë konspirative, se çka kanë folur, çka kanë vendosur.

Sa ma pak transparente kjo dynja, sa ma pak gjithëpërfshirje në vendimmarrjen globale, aq më shumë konspiracion.

Edhe Donalld Trampi është tejet konspiracionist, sepse popullistët kudo në botë, e thjeshtëzojnë botën në “ne” dhe “ata”. Popullistët i fryjnë konspiracionizmit.

Ka edhe studime që disa çrregullime mendore, gjithashtu i ushqejnë mendimet konspirative, se “dikush” po ua vjedh edhe mendimet, edhe po bën plane.