Rrahje me shkop, shuplaka dhe përplasje mes familjarëve, 4 raste të dhunës në familje brenda 24 orëve
Një seri rastesh të dhunës në familje janë raportuar brenda një periudhe të shkurtër kohore në disa qytete të Kosovës, duke nxjerrë në pah përmasat shqetësuese të këtij fenomeni.
Rasti i parë është regjistruar në fshatin Brestovik të Pejës, ku viktima A.Z., rreth 27-vjeçare ka raportuar në polici se është sulmuar nga babai i tij S.Z., rreth 48-vjeçar. Sipas deklarimit, fillimisht është fyer dhe më pas është goditur me shkop druri dhe me grushte në pjesën e brinjëve disa herë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe posedon raportin përkatës, ndërsa ka deklaruar se nuk ndjehet i rrezikuar nga babai. I dyshuari është arrestuar, por me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.
Në një rast tjetër në Mitrovicën e Veriut, në rrugën “Lole Ribara”, është raportuar një konflikt mes bashkëshortëve, ku Z.K., rreth 36-vjeçar dhe B.S., rreth 42-vjeçar pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me vonesën e të dyshuarit në shtëpi, kanë eskaluar në përplasje fizike duke goditur njëri-tjetrin me shuplaka. Të dy palët kanë refuzuar trajtimin mjekësor pasi nuk kishin lëndime të dukshme, ndërsa me udhëzim të prokurorit rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i tretë ka ndodhur në Rahovec, ku E.Z., rreth 21-vjeçare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj E.Z., rreth 22-vjeçar, duke pësuar lëndime të lehta në fytyrë dhe në bërryl. Sipas viktimës, konflikti ka nisur pasi ajo ishte kthyer nga puna, duke eskaluar në dhunë fizike. I dyshuari ka mohuar sulmin, duke pretenduar se vetëm e kishte qortuar për sjelljen e saj. Megjithatë, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë dhe rasti është në hetim.
Ndërkohë, një tjetër incident i dhunës në familje është raportuar në fshatin Jazincë të Shtërpcës, ku D.V., rreth 22-vjeçar ka denoncuar babain e tij S.V., rreth 57-vjeçar për maltretim dhe sulm fizik. Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe posedon raportin përkatës, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në polici dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Të gjitha rastet janë iniciuar si “Dhunë në familje” dhe mbeten nën hetime nga organet kompetente.

