Tërmkolli: Një jetë të tërë për LDK-në, e tash me punu për Lumira e Vjosa e për tuxharitë e multimilionat e tyre a?

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në LDK, pas rikthimit të Vjosa Osmani në parti dhe vendosjes së saj si bartëse e listës për deputetë.

Përmes një postimi në Facebook, Tërmkolli ka thënë se pas një jete të tërë me sakrifica dhe kontribute për LDK-në, nuk mund të punojë për, siç është shprehur ajo, “Lulmira, Vjosa e krejt udhëheqjen” aktuale të partisë.

“Dmth, unë Melihate Tërmkolli, ndër të parët e LDK-s, në temele të saj e para saj, me një jetë të tërë plot sakrifica, punë e kontribute për liri e shtet, me plot rreziqe jetësore në të gjitha fazat politike, gjithherë me qëndrime të qarta politike kombëtare, me punu sot për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-n, për Lulmira, Vjosa, e krejt udhëheqjen e saj, për tuxharitë e multi milionat e tyre a?! E valla jo!”, ka shkruar ajo.

Reagimi i Tërmkollit vjen në kohën kur LDK-ja tashmë ka nisur mobilizimin për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, me Osmanin bartëse të listës dhe Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër. /Lajmi.net/