Ëmbëltoret e Gjilanit mbeten simbol i traditës, nostalgjisë dhe momenteve të ëmbla që kanë shoqëruar jetën e qytetarëve ndër breza

Ëmbëltoret e Gjilanit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e jetës qytetare dhe e kujtimeve më të bukura të shumë gjeneratave.

Ato kanë shërbyer si vende ku qytetarët takoheshin për të shijuar akullore, boza, salep dhe ëmbëlsira tradicionale, por edhe për të kaluar momente të këndshme me familjen dhe miqtë.

Ismajl Veliu, qytetar nga Gjilani ka ri-sjellë foto dhe kujtime nga ajo kohë.

Ndër ëmbëltoret më të njohura të qytetit kanë qenë Kitka, Egipat, Kosovarja, Korzo Vanilla, Tetova dhe Prishtina.

Secila prej tyre kishte klientët e vet besnike dhe ishte e njohur për shijen e veçantë të akulloreve dhe ëmbëlsirave që përgatiteshin me mjeshtëri.

Disa prej këtyre ëmbëltoreve vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.

Vanilla mbetet një nga emrat më të njohur dhe më të frekuentuar në qytet.

Tetova po ashtu vazhdon traditën e saj shumëvjeçare, duke ruajtur shijen dhe cilësinë që e bëri të dashur për gjenerata të tëra nga byrekët e Tetovës.

Ëmbëltorja Egipat vazhdon punën e saj, por sot njihet me emrin Kimi, duke ruajtur traditën e dikurshme në një formë të re dhe me produkte të gjëra të ëmbëlsirave.

Në këto ëmbëltore janë krijuar kujtime të shumta: takime mes miqsh, festime familjare, dalje të të rinjve pas shëtitjeve në korzo dhe momente të thjeshta, por të paharrueshme.

Për shumë qytetarë, një akullore në qendër të Gjilanit ishte pjesë e pandashme e fëmijërisë dhe rinisë.

Edhe pse koha ka sjellë ndryshime në pamjen e qytetit dhe në mënyrën e jetesës, këto ëmbëltore vazhdojnë të ruajnë një pjesë të traditës dhe identitetit urban të Gjilanit.

Ato janë dëshmi e një kulture të pasur qytetare, ku shija, mikpritja dhe kujtimet e bukura ndërthuren në mënyrë të veçantë.

Ëmbëltoret e Gjilanit mbeten simbol i traditës, i nostalgjisë dhe i momenteve të ëmbla që kanë shoqëruar jetën e qytetarëve ndër breza – ka nënvizuar Ismajl Veliu në një postim në profilin e tij./Mediafokus