Alarm nga shkencëtarët: El Nino mund të thyejë rekordet globale të temperaturave

Parashikimet më të reja tregojnë me një siguri të lartë se fenomeni El Niño, i cili po formohet aktualisht në Paqësorin tropikal, mund të shndërrohet në një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

Shkencëtarët paralajmërojnë se kjo mund të sjellë thyerje të rekordeve globale të temperaturave, por edhe pasoja të rënda humanitare në shumë vende të botës.

Pjesë të mëdha të Oqeanit Paqësor po ngrohen me ritme të shpejta, ndërsa të dhënat e publikuara këtë javë tregojnë se temperaturat e sipërfaqes së detit kanë arritur tashmë rreth 0.5 gradë Celsius mbi mesataren normale.

Ky konsiderohet një nga treguesit kryesorë që sinjalizon fillimin e fenomenit El Niño, shkruan BBC.

Parashikimi më i fundit

Pritet që fenomeni El Niño të forcohet gjatë muajve në vijim, ndërsa kulmin mund ta arrijë në vjeshtë, duke u shndërruar në një El Niño shumë të fuqishëm, të njohur si “super El Niño”.

Shkencëtarët janë të shqetësuar për ndikimin që ai mund të ketë në motin global, përfshirë mundësinë që viti 2027 të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Administrata Kombëtare Amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) në parashikimin e saj më të fundit njofton se El Niño pritet të nisë brenda një muaji, transmeton Telegrafi.