Drenushë Maloku: Koha e ndryshimit po troket, zëri i qytetarëve po dëgjohet gjithnjë e më fort

Drenushë Maloku Bejtullahu, kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së nga Gjilani, është njëra prej grave më të reja në moshë, në listën e kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kandidimi i saj sjell një frymë të re për qytetarët e Gjilanit dhe për gjithë ata që kërkojnë përfaqësim dinjitoz e profesional në Kuvendin e Republikës.

Menjëherë pas nominimit, Maloku-Bejtullahu, e cila në listën zgjedhore të LDK-së mban numrin 103, ka thënë se do avokojë, në veçanti, për më shumë zhvillim e mbështetje për të rinjtë në organin më të lartë vendimmarrës, Kuvendin e Republikës.

“Jam shumë e lumtur që më është dhënë mundësia të jap kontributin tim me të gjitha kapacitetet, në mënyrë që Kosova të ketë përpara zgjidhje për problemet e shumta dhe vendime të drejta e të rregullta. Jam shumë entuziaste dhe e gatshme që për herë të parë në karrierën time të përfaqësoj qytetarët e Anamoravës dhe jo vetëm, në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur kandidatja e LDK-së nga Gjilani, e cila po merr mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët.

“Koha e ndryshimit po troket, e zëri i qytetarëve po dëgjohet gjithnjë e më fort. Bashkë jemi më të fortë, më të vendosur dhe më afër të ardhmes që e meritojmë”, thotë ajo, e cila është shprehur të jetë tejet e entuziazmuar me besimin e qytetarëve të Gjilanit, gjatë një takimi në formatin ballë për ballë, ku pjesëmarrës ishte edhe kandidatja për president, Vjosa Osmani, ai për kryeministër, Lumir Abdixhiku dhe kreu i Degës së kësaj partie në Gjilan, njëherësh kandidat për deputet, Lutfi Haziri dhe kandidatët tjerë për deputetë.